Lidhje

Udhëheqësit e Shqipërisë përshëndesin zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës   


Kryeministri Sali Berisha, i cili ka ndjekur nga afër zhvillimin e votimit në parlamentin e Kosovës ka qenë i pari që ka uruar presidentin e ri Fatmir Sejdiu. Zoti Berisha e ka telefonuar atë menjëherë, ndërsa i porsazgjedhuri si kryetar i Kosovës ndodhej ende në sallën e parlamentit në Prishtinë. Gjatë bisedës së tij, kryeministri ka shprehur besimin se “Kosova ka zgjedhur garantin e saj të vërtetë për një Kosovë të lirë, të qytetarëve të barabartë përpara ligjit dhe të pavarur”. Zoti Berisha ka saktësuar se “zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës ka qenë me të vërtetë një ngjarje e madhe dhe një garanci jo vetëm për Kosovën por dhe për rajonin e Shqipërinë. Eshtë një zgjedhje e shkëlqyer”- i ka thënë kryeministri në telefon presidentit të porsazgjedhur. Në të vërtetë, që disa ditë më parë, zoti Berisha kishte dhenë vlerësime shumë pozitive duke e cilësuar si një kandidaturë të zgjedhur mirë, emrin e zotit Sejdiu.

Presidentit të ri të Kosovës i ka dërguar mesazh urimi edhe presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, sipas të cilit “kjo zgjedhje erdhi në një moment të rëndësishëm për Kosovën, atë të hapjes së bisedimeve për statusin final. Mënyra demokratike me të cilën ju u zgjodhët - i shkruan ai presidentit Sejdiu - dëshmoi edhe një herë jo vetëm qytetarinë dhe vlerat e shoqërisë kosovare por shërbeu për të treguar në këto momente pjekurinë e klasës politike shqiptare në shërbim të kauzës së pavarësisë”, shkruhet në mesazhin e presidentit Moisiu.

“Personi i duhur në momentin e duhur”, e ka cilësuar Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në mesazhin e saj të urimit. Ajo shprehet se “nuk ka asnjë dyshim që presidenti Sejdiu do të jetë faktor paqeje, tolerance, stabiliteti dhe unitetit në ardhmërinë e Kosovës, në pavarësinë e saj, në ndërtimin e shtetit ku respektohen të drejtat e cdo qytetari”, shkruan zonja Topalli.//lk

XS
SM
MD
LG