Lidhje

Irak: Shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 15 dhjetorit


Autoritetet në Irak shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 15 dhjetorit, duke konfirmuar faktin që partitë fetare shiite kanë marrë pothuajse shumicën në parlament.

Njoftimi i sotëm konfirmon rezultatet paraprake të shpallura muajin e kaluar, të cilat i jepnin 128 vende koalicionit mbizotërues shiit, Aleancës së Bashkuar Irakiane. Aleanca Kurde ka marrë 53 vende ndërsa Fronti i Marrëveshjes Irakiane, i drejtuar nga sunitë ka fituar 44 vende në parlamentin prej 275 anëtarësh.

Sipas kushtetutës irakiane, parlamenti i ri duhet të mblidhet brenda 15 ditësh. Në janar zyrtarët amerikanë thanë se prisnin shtimin e dhunës nga kryengritësit para krijimit të qeverisë së re irakiane.

Ndërkohë, sot në Bagdat të paktën 8 vetë u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë u plagosën në një sulm me makinë bombë. Dje, gazetarja e rrëmbyer amerikane Xhill Karroll u shfaq në një videokasetë të re të transmetuar nga televizioni kuvajtian, duke bërë thirrje që kërkesat e rrëmbyesve të saj irakianë të plotësohen sa më shpejt. Personat që e mbajnë atë peng kanë kërkuar lirimin e të gjitha grave të burgosura në Irak.//lk

XS
SM
MD
LG