Lidhje

Daniel Serwer:  Moskthimi i serbëve, pengesa më e madhe për Prishtinën

  • Intervistoi Ikonomi

Daniel Serwer, analist i Institutit amerikan të Paqes në Uashington, thotë se pengesa më e madhe për Prishtinën në prag të bisedimeve për statusin është fakti që nuk ka arritur t’i bindë serbët të kthehen në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se kjo po e minon pozitën e shqiptarëve në bisedime dhe po krijon presione të jashtëzakonshme që e pengojnë zgjidhjen e statusit.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, cili është reagimi juaj i parë lidhur me zgjedhjen e zotit Fatmir Sejdiu si president i Kosovës?

Daniel Serwer: Ishte mjaft pozitiv fakti që zgjedhja u bë me shpejtësi dhe në mënyrë bashkëpunuese, u bë përmes institucioneve dhe në mënyrë korrekte. Mendoj se kjo tregon shumë gjëra të mira për institucionet e përkohshme të vetqeverisjes dhe flet për forcën e tyre.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sfidat përballë zotit Sejdiu dhe cila është pengesa më e madhe në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës?

Daniel Serwer: Vendimi për statusin është problemi më i madh përpara tij dhe përpara të gjithë të tjerëve në Kosovë. Më duket se pengesa më e madhe nga pikpamja e Prishtinës është dështimi për t’i bindur serbët të kthehen në shtëpitë e tyre kudo në Kosovë. Kjo po e dëmton pozitën e shqiptarëve në bisedime, po krijon presione të jashtëzakonshme që e pengojnë ecjen përpara të çështjes së statusit. Mendoj se gjërat do të ecin, por shumë elementë që lidhen me statusin e Kosovës dhe shumë nga marrëveshjet që do të duhet të bëhen do të jenë të ndryshme pikërisht për shkak se nuk është arritur të binden serbët të kthehen në shtëpitë e tyre. Nëse ka një gjë që mund ta përmirësonte atmosferën në bisedime do të ishin lëvizjet e shpejta këtë pranverë për t’i bindur njerëzit të kthehen.

Zëri i Amerikës: Madje ka analistë që thonë se bisedimet për statusin përfundimtar në thelb do të jenë bisedime për statusin e pakicës serbe. Jeni dakord me këtë?

Daniel Serwer: Mendoj se kjo është një nga çështjet shumë të rëndësishme në bisedime. Çështja e statusit dhe e serbëve, po ashtu si në Bosnje apo me shqiptarët e Maqedonisë, është ndër problemet kyçe që duhen zgjidhur për kapërcimin e këtyre konflikteve dhe mënyra me të cilën do të zgjidhen do të varet nga fakti nëse serbët do të përqendrohen në disa enklava apo do të kthehen në shtëpitë e tyre në të gjithë Kosovën. Mendoj se do të ishte shumë më mirë nga pikpamja e interesit të Prishtinës nëse ata do të ktheheshin në të gjithë Kosovën.

Zëri i Amerikës: Diplomati britanik John Sawyers u ka deklaruar serbëve të Kosovës se pavarësia është zgjidhja më e mirë. Në thelb, a mos po e paragjykojnë fuqitë e mëdha statusin e Kosovës dhe a është vendosur ndonjë gjë deri tani?

Daniel Serwer: Nuk di të jetë marrë ndonjë vendim. Më duket se bisedimet janë mjaft të hapura ndaj alternativave të ndryshme. Është absolutisht e qartë se pavarësia duhet të jetë në tryezë por është gjithashtu e qartë se pozita e preferuar e Serbisë, pra autonomi maksimale, nëse mund të shprehem kështu, do të jetë në tryezë. Pra më duket se nuk ka patur një paragjykim. Megjithatë duhet pritur që tani fuqitë e mëdha të jenë duke përcaktuar qendrimet e tyre për çështjen e statusit dhe brenda pak muajve ato mund të arrijnë në një farë konkluzioni përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Ka patur shumë diskutime dhe deklarata lidhur me të ashtuquajturën pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Ku mendoni se qendrojnë në pikëpamjet e tyre anëtarët e ndryshëm të Grupit të Konaktit, në mbështetjen ose në mos mbështetjen e kësaj ideje?

Daniel Serwer: Për mua çështja nuk është pavarësia e kushtëzuar apo edhe pavarësia. Për mua çështja është sovraniteti. Dhe më duket se duhet marrë një vendim i qartë për sovranitetin. Pra, do t’i mbetet sovraniteti Beogradit apo do t’i transferohet ai Prishtinës? Pasi të jetë marrë ky vendim, mund të merret çdo lloj vendimi që e kufizon sovranitetin në mënyra të ndryshme, për shembull duke kërkuar futjen e ndërkombëtarëve në sistemin e gjykatave të Kosovës apo kushte të tjera të çdo lloji. Pavarësia mendoj se është një koncept i mjegullt sepse Kosova në disa aspekte është shumë e pavarur, për shembull institucionet e vetqeverisjes në Prishtinë janë të pavarura nga Beogradi në kuptimin real dhe jo të pavarura nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ende ka përgjegjësi në Kosovë. Por pavarësia është një koncept i mjegullt ndërsa sovraniteti është një koncept shumë më i qartë. Gjithashtu mendoj se është e qartë që Kosova, kur të hyjë në Bashkimin Evropian, 10, 15 ose 20 vjet më vonë, ajo do të duhet të jetë shtet i pavarur, pra mendoj se kjo duhet të kihet parasysh ndërkohë që bisedimet vazhdojnë, pra cili lloj statusi do ta lehtësonte hyrjen e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Grupi i Kontaktit deklaroi kohët e fundit se rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 duhet të mbetet si suazë e negociatave. Çfarë nënkupton kjo për ju? A është 1244-a e qartë dhe solide sa duhet për të shërbyer si bazë?

Daniel Serwer: Mendoj se rezoluta 1244 është një bazë e mirë për diskutimet mbi statusin sepse ajo parashikon një kalim drejt një statusi të ri për Kosovën. Nuk ka asnjë arësye se përse statusi i ri i Kosovës duhet të jetë ai që është tani në bazë të rezolutës 1244. Në këtë rezolutë thuhet qartë se Kosova mbetet pjesë e asaj që sot quhet Serbi dhe Mal i Zi edhe pse autoriteti i saj sovran ushtrohet nga OKB-ja. Por të thuash se 1244-a është baza kjo nuk do të thotë se vendimi do të kufizohet nga kjo rezolutë. Përkundrazi, kur Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë të re, me një status të ri, atëhere ai do të jetë ligj. Më duket se procesi i përcaktimit të këtij statusi të ri është diçka për të cilën kontribuon rezoluta 1244.

Zëri i Amerikës: Fuqitë e mëdha kanë caktuar vitin 2006 si vitin kur duhet të përfundojnë negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës? A mendoni se ky është një afat artificial, për të krijuar kushtet që palëve t’u imponohet një zgjidhje?

Daniel Serwer: Imponimi është diçka që varet se si e shikon. Shumë njerëz mendojnë se Marrëveshja e Dejtonit në një farë mënyrë iu “imponua” palëve dhe palët e bënë të qartë se ato nuk ishin plotësisht të kënaqura me të. Për shembull, Presidenti i Bosnjes, Izetbegoviç deklaroi se kjo ishte paqe pa drejtësi. Por në të njëjtën kohë, për pjesmarrësit e Dejtonit ishte shumë e qartë se ne po u impononim diçka që më në fund ata do ta pranonin dhe do ta zbatonin. Zbatimi i marrëveshjes së Dejtonit ka qenë paksa i vështirë por megjithatë ai është bërë dhe paqja ka vazhduar. Pra, imponimi është diçka që varet se si e shikon. Nuk pres që Prishtina dhe Beogradi të puthen e të përqafohen pas këtyre bisedimeve. Madje nuk jam shumë i sigurt nëse atyre do t’u duhet të venë firmën në të njëjtën letër sepse në fund të fundit vendimi do të merret në Këshillin e Sigurimit dhe ata nuk përfaqësohen atje. Pra më duket se do të ketë një element imponimi por do të ketë edhe një element të fortë të asaj që palët të pajtohen me atë që do të imponohet. Prishtina dhe Beogradi ndoshta do ta kundërshtojnë atë që do të imponohet por do të jenë gati të shohin përpara dhe ta venë në zbatim atë.

XS
SM
MD
LG