Lidhje

Përfitimet e torinezëve nga Lojërat Olimpike

  • Brajen Peten

Dje në qytetin e Torinos filluan Lojërat Olimpike Dimërore. Banorët e çdo qyteti ku zhvillohen Olimpiket, zakonisht shpresojnë se ato do t’i sjellin disa përfitime ekonomike. Por në rastin e Torinos, përfitimi i nga Lojërat Olimpike mund të jetë më shumë se kaq...

Gjatë lojërave olimpike, mijëra njerëz do të vizitojnë malet e mrekullueshëm që rrethojnë qytetin e Torinos në veri të Italisë. Torinezët që punojnë në industrinë turistike lokale, si Maria Luisa Surako, shpresojnë se vizitorëve do t’u pëlqejnë ato që shohin në qytetin e tyre.

"Shpresoj se vizitorët do të kërkojnë më tepër informacione dhe do të vijnë përsëri gjatë verës, - thotë ajo.

Përveç vizitorëve, mbi dy miliardë teleshikues nga e gjithë bota do të kenë rastin për herë të parë të shohin si fshatrat malore turistike, ashtu edhe qytetin historik të Torinos. Lojërat Olimpike, thotë Drejtori i Planifikimit Strategjik të qytetit, Paolo Verri, janë një mundësi për të projektuar një imazh të teknologjisë së lartë, që do të tërhiqte më tepër studentë për në universitetet italiane, si dhe biznese të reja në këtë qytet.

"Shpresojmë që në të ardhmen të bëhemi një nga kryeqytetet e Evropës për fushën e diturisë", - thotë ai.

Të qënit vendi mikpritës i Lojërave Olimpike është pjesë e një plani afatgjatë për transformimin e qytetit, sidomos në kushtet kur firma e prodhimit të makinave, Fiati që dikur punësonte mbi 150 mijë njerëz, e mbylli filialen e vet në Torino. Paolo Verri thotë se ky qytet historik, i cili 150 vjet më parë ishte kryeqyteti i Italisë, tani i ka përqëndruar përpjekjet tek përmirësimi i gjendjes së rrugëve dhe linjave të telekomunikacionit për të siguruar të ardhmen e tij.

"Gjatë 5 vjetëve të ardhshëm ne do të kemi infrastrukturën e nevojshme për të mundësuar lidhjen e biznesit, kulturës dhe argëtimit me mbarë në Evropën. Pikërisht ky është synimi ynë me Lojërat Olimpike," - thotë Verri.

Për qytetin e Torinos, Olimpiket do të thonë në fakt një garë për vende pune dhe për investime reja.//lk

XS
SM
MD
LG