Lidhje

Irani shpreh angazhim për respektimin e traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore


Ministria e Jashtme iraniane nuk i dha ndonjë rëndësi paralajmërimit të Presidentit Mahmud Ahmadinexhad për të dalë nga traktati për mospërhapjen bërthamore. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hamid Reza Asefi tha se Irani është i angazhuar për t’iu përbajtur traktatit, por nuk mund ta pranojë atë si vegël politike.

Dje, zoti Ahmadinexhad tha se mund të tërhiqet nga traktati si kundërpërgjigje ndaj trysnisë ndërkombëtare mbi Iranin për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha se një veprim i tillë do të thellonte më tej izolimin e Iranit. Zonja Rajs tha sot se ekziston një koalicion vendesh, ku përfshihen të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat janë të vendosura të ndalin përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në përpjekjet diplomatike, por nuk kanë përjashtuar asnjë alternativë, përfshirë edhe veprimet ushtarake.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e akuzojnë Iranin se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, një akuzë që Teherani e ka hedhur poshtë.

XS
SM
MD
LG