Lidhje

Eksperimente me një superreaktor i cili imiton në miniaturë big bengun


Rezultatet eksperimentale të arritura në laboratorin Kombëtar të Brukhejvënit në Nju Jork u cilësuan si ngjarja kryesore e fizikës për vitin 2005 nga Instituti Amerikan i Fizikës. Eksperimentet kanë të bëjnë me një superreaktor i cili imiton në miniaturë big bengun, shpërthimin e madh që çoi në krijimin e gjithësisë. Mirëpo rreziqet që mund të sjellin eksperimente të tilla vazhdojnë t’i shqetësojnë disa vëzhgues, megjithëse fizikanët mezi presin të inaugurojnë vitin tjetër në Evropë reaktorin më të madh bërthamor të botës.

I parë nga lart, reaktori i cili ndodhet në Laboratorin Kombëtar të Brukhejvënit në Nju Jork, i ngjan një hipodromi. Dhe në fakt ai është një farë hipodromi: Janë dy tuba drite në një tunel të rrumbullakët rreth 4 kilometra të gjatë, ku bërthamat e arit përshpejtohen duke arritur pothuajse shpejtësinë e dritës dhe pastaj përplasen me njëra-tjetrën në pikat ku takohen gjatë rrugës. Nga energjia kinetike e këtyre përplasjeve, për një çast të shkurtër krijohet lëndë e re: një dush kuarkesh dhe gluonesh – pjesëzat më të vogla të njohura nga njeriu – në temperaturën 7 trilion gradë – më e larta sot për sot në univers.

Peter Stainberg është fizikan në Brukhejvën. "Teoria e Ajnshtajnit na ka mësuar një shekull më parë se energjia kthehet në masë dhe anasjelltas. Në thelb, ne po shndërrojmë energjinë kinetike, energjinë e lëvizjes së këtyre bërthamave, në një numër të madh pjesëzash."

Të katër detektorët që mbulojnë pikat e përplasjes janë makina gjigante me dhoma të llogaritjes së kohës, ku regjistrohen përplasjet dhe ajo që ndodh pas tyre. Rezultatet e fundit bënë bujë vitin e kaluar, kur shkencëtarët e Brukhejvënit njoftuan se plazma prej klarkesh dhe gluonesh nuk ishte gaz, siç pritej, por një lëng mjaft viskoz. "Shumë njerëz besojnë se vetë universi, i cili u krijua disa mikrosekonda pas big bengut, ishte në thelb një plazmë e madhe e përbërë nga klarke dhe gluone. Duke mësuar rreth vetive të këtij materiali në laboratorin e Brukshejvënit, ne po arrijmë të krijojmë ndoshta një ide se çfarë pamje kishte gjithësia menjëherë pas big bengut," thotë zoti Steinberg.

Këtu punojnë shkencëtarë nga më shumë se 10 vende dhe puna që bëhet nuk është aspak sekret. Por, a ka rreziqe rikrijimi i atyre kushteve që nuk kanë ekzistuar që nga fillimi i kohës? Përpara inaugurimit të gjeneratorit në vitin 2000, një numër fizikanësh me emër thanë se eksperimente të tilla mund të krijojnë një reaksion zinxhir, ku disa kuarke të cilëve u mungon një elektron, i kthejnë edhe atomet rreth tyre në lëndë me sjellje të çuditëshme.

Gjykatësi federal dhe njëkohësisht shkrimtari Riçard Pozner, flet për këtë skenar në librin e tij Katastrofë: Rreziku dhe Përgjigja. "Në një fraksion të sekondës, kjo lëndë e çuditëshme do të zgjerohej duke e kthyer krejt tokën në lëndë të tillë. Për shkak të dëndësisë së saj të madhe, toka në formën e saj të re do ta kishte diametrin vetëm 100 metra dhe do të shpërthente."

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, laboratori i kërkoi një komisioni prej katër fizikanësh të njohur të vlerësonte rrezikun. Ata arritën në përfundimin se mundësia për një aksident të tillë është jo më tepër se 1 në 50 milion dhe madje është e pamundur nga pikpamja fizike. Ata po ashtu hodhën poshtë mundësinë e aksidenteve të tjera kozmike.

Por disa vëzhgues megjithatë nuk janë dakord me mendimin se eksperimentet që po bëhen ja vlejnë të rrezikohet edhe pse nuk ka gjasa që ato të përfundojnë me aksident. "Këto studime kanë për bazë një interes shkencor tepër abstrakt dhe nuk duken si investim i mirë. Atëhere përse duhet që të marrim mbi vete rrezikun, sado i vogël qoftë ai?," thotë shkrimtari Pozner.

"Nëse e shohim nga kjo pikëpamje, nëse pyesim veten: a ja vlen t’i bëjmë sfidë planetit për të mësuar diçka që në të ardhmen mund të jetë e dobishme për njerëzimin, atëhere ndoshta do të thoshim jo. Por realiteti është se askush nuk e beson, askush nuk e ndjen në vetvete se kjo që po bëjmë është e rrezikoshme," thotë zoti Stainberg.

Në fakt, thotë Peter Stainberg, nga rezultatet e deritanishme me gjeneratorin e Brukhejvënit del se çdo rrezik i mundshëm është më i vogël se sa ka qenë menduar më parë. "Sa më shumë mësojmë, aq më pak shqetësohen ekspertët, prandaj edhe njerëzit e tjerë duhet të shqetësohen më pak. Nëse ekspertët fillojnë e shqetësohen atëhere mund të ketë vend për preokupime. Mirëpo ekspertët ndjehen çdo vit e më të sigurt sepse ne po mësojmë gjithnjë e më shumë. Në fakt vetëm ata që nuk janë ekspertë po i nxisin këto lloj diskutimesh."

Megjithatë, zoti Pozner dhe kritikë të tjerë thonë se për të vendosur rreth eksperimenteve të tillë duhet krijuar një komision ku të marrin pjesë shkencëtarë dhe njerëz të tjerë sidomos tani që vitin e ardhshëm, Organizata Evropiane për Studimet Bërthamore, ose CERN-i, në Gjenevë, do të verë në punë një gjenerator 30 herë më të fuqishëm se sa ai në Brukhejvën dhe që pritet të na japë pamjen më interesante deri më sot të natyrës së materies. //ad//

XS
SM
MD
LG