Lidhje

Avokati i Popullit kundër ligjit për konfliktin e interesave në administratën publike shqiptare


Avokati i Popullit dhe tre organizata që veprojnë në fushën e ligjeve dhe të mbrotjes së të drejtave të njeriut kanë dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e tre vendimeve të marra nga qeveria pak javë më parë për konfliktin e interesave në administratën publike, atë doganore dhe tatimore.

Sipas kërkesës së paraqitur në Gjykatë, vendimet e qeverisë konsiderohen në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me vetë kushtetutën shqiptare.

Me anë të tre vendimeve të ndryshme qeveria shqiptare që prej pak javësh ka vendosur të mos lejojë punësimin ne administratën doganore dhe tatimore, si dhe në entet e prokurimeve të gjithë ata që kanë lidhje të afërta familjare apo dhe krushqie me zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë shtetëror. Në listën e funksionarëve lidhjet me të cilët do të përbëjnë pengesë për punësim hyjnë që nga presidenti i Republikës e këshilltarët e tij, deri të ministrat e kabinetit qeveritar apo drejtuesit e lartë të institucioneve të pavarura. Kjo listë është shtrirë dhe në nivel lokal duke përfshirë të zgjedhurit e pushtetit vendor apo dhe drejtuesit e lartë të policisë dhe prokurorisë.

Vendimet e qeverisë shkaktuan reagime të shumta. Sot Avokati i Popullit dhe tre organizata që veprojnë në fushën e ligjeve dhe të mbrojtjes të të drejtave të Njeriut, Komiteti shqiptar i Helsinkit, Grupi shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra e Studimeve parlamentare u ankuan ndaj këtyre vendimeve në Gjykatën Kushtetuese pasi i cilësojnë ato si cënim të të drejtave themelore të njeriut dhe të parimeve kushtetuese.

Në deklaratën e përbashkët theksohej se të paditësh qeverinë nuk do të thotë se i kundërvihesh qëllimeve të saj të mira për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit në administratën shqiptare. Avokati i Popullit dhe tre organizatat jo qeveritare kërkojnë që kjo luftë apo refromë e qeverisë të jetë brenda kornizave të respektimit të të drejtave të njohura nga kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare.

Argumenti kryesor i paraqitur në kërkesën për shfuqizimin e vendimeve është se sipas nenit 17 të klushtetutës shqiptare organi kompetent për të vendosur kufizimin e të drejtave të shtetasve është parlamenti dhe se kufizimi i këtyre të drejtave vendoset vetëm me ligj. Pra sipas Avokatit të Popullit dhe të organizatave qeveria nuk mund të marrë vendime të tilla që janë të paligjshme sespe ajo ka marrë kompetencat e parlamentit.

Lufta kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave, thuhet në deklaratë, nuk mund të legjitimohet me akte nënligjore të cilat sipas tyre krijojnë hapësira për një zbatim selektiv dhe joproporcional që do të kompromentonte dhe vetë qëllimin e lavdërueshëm pë të cilin ato janë nxjerrë.

Por, po sot kryeministri Sali Berisha, pak çaste pas njoftimit të kësaj nisme kundër vendimeve të qeverisë u shpreh se ky vendim ka krijuar interpretime nga më të ndryshmet, vetëm në rastet kur ka pasur konflikte interesi. Sipas tij “ka patur familje pushtetarësh që kanë pasur të punësuar në dogana 6-8 anëtarë të familjes apo të afërm të tyre, sikur këta persona të kishin lindur doganierë”, theksoi ai. Kryeministri këmbënguli se “nepotizmi po luftohet pasi është një plagë dhe se nuk është shkelje e të drejtave të Njeriut të mos punosh në dogana, tatime apo prokurime publike. //rd//

XS
SM
MD
LG