Lidhje

Nju Jork: Ambasadorët flasin mbi perspektivën e pavarësisë për Kosovën

  • PETER HEINLEIN

Serbia propozoi që çdo vendim rreth statusit të Kosovës të shtyhet për 20 vjet. Por propozimi u prit me skepticizëm nga komuniteti ndërkombëtar dhe u hodh poshtë kategorikisht nga kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi.

I përballur me perspektivën gjithnjë e më të afërt të një Kosove të pavarur, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ofroi dje një alternativë. Duke folur përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. udhëheqësi serb propozoi një plan për autonomi të gjerë për Kosovën me premtimin që çështja e pavarësisë të rishqyrtohet më vonë.

"Shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë do të gëzonin politikisht një autonomi shumë të gjerë, një autonomi që në shumicën e çështjeve të jetës së përditëshme do t’i bënte ata plotësisht të vetqeverisur në raport me Beogradin me kusht që ata të pranojnë të njëjtën autonomi për komunitetin serb në raport me Prishtinën. Zgjidhja e negociuar që do të rezultonte prej kësaj do të ishte e garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe, pas një periudhe kohe për të cilën do të bihej dakord, për shembull prej 20 vjetësh, ajo mund të bëhej objekt i rinegocimit," tha Presidenti Tadiç.

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi mori pjesë në mbledhje por nuk foli. Megjithatë, pas takimit ai e hodhi poshtë propozimin serb.

"Mendoj se ky është momenti i përshtatshëm për ta mbyllur një herë e mirë çështjen e Kosovës. Nuk mendoj se duhet të lejojmë hapësirë për periudha të tjera për t’u marrë me çështjen e Kosovës. Ne thjesht duhet t’i japim popullit të Kosovës shansin për të ndërtuar jetën e tij dhe për të jetuar në liri," tha zoti Kosumi.

Ndërkohë që bisedimet për të ardhmen e Kosovës pritet të fillojnë javën e ardhëshme në Vjenë, ata që e morën fjalën në tryezën e rrumbullaktë të Këshillit të Sigurimit folën kryesisht për perspektivën e pavarësisë, ndoshta qysh këtë vit.

Administratori i OKB-së për Kosovën, Soren Jessen-Petersen, e pranoi se fjala pavarësi krijon frikë tek shumë serbë të Kosovës. Por ai vuri në dukje se status-kuoja e administriumit të Kosovës nga OKB-ja nuk mund të shtyhet më dhe u bëri thirrje serbëve të Kosovës të bashkëpunojnë më tepër me shumicën shqiptare.

"Mënyra më e mirë për të garantuar se serbët e Kosovës do të kenë zërin e tyre i cili të dëgjohet, do të ishte që ata të angazhoheshin drejtpërdrejt në institucionet e Kosovës. Refuzimi i vazhdueshëm i Beogradit për ta pranuar një gjë të tillë nuk ndihmon aspak në përmirësimin e gjendjes së serbëve në Kosovë, përkundrazi e thellon më tej izolimin e tyre politik, i cili është tani mjaft i mprehtë," tha Jessen-Petersen.

Një numër ambasadorësh në Këshillin e Sigurimit lanë të kuptohet në komentet e tyre se çështja duhet të zgjidhet këtë vit dhe se pavarësia për Kosovën është një alternativë që ka të ngjarë të realizohet. Ambasadori amerikan pranë OKB-së, John Bolton tha se bisedimet për statusin që fillojnë në Vjenë nuk mund të mos përfillin dëshirat e shumicës shqiptare:

"Ne duhet të jemi realistë për zgjidhjet e mundëshme. Pavarësia është një zgjidhje e mundëshme. Çdo zgjidhje e statusit që mund të arrihet duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës. Ne duhet të mbajmë parasysh se shpërbërja me dhunë e Jugosllavisë, spastrimi etnik dhe kriza humanitare e vitit 1999 si dhe periudha e zgjatur e administrimit ndërkombëtar nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e bëjnë Kosovën një rast shumë të veçantë," tha ambasadori Bolton.

Shqiptarët në Kosovë përbëjnë më shumë se 90 përqind të popullsisë. Në vitin 1999, pas bombardimeve të NATO-s, të cilat i detyruan forcat serbe të tërhiqen nga Kosova, Kombet e Bashkuara dërguan atje një mision të tyre me një prani të fuqishme paqeruajtëse të aleancës atlantike.

XS
SM
MD
LG