Lidhje

Shqipëri: Arrestohet një ish-deputete socialiste


Në Shqipëri policia arrestoi pas urdhërit të prokurorisë së Tiranës ish deputeten socialiste Luiza Hoxha e cila deri para disa muajsh ishte në postin e Drejtoreshës së Postës shqiptare. Ajo u prangos nën akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës, pasi nga hetimet ka rezultuar se ka shitur sasira të mëdha pullash dhe blloqe pullash duke shkaktuar një dëm që llogaritet në miliona euro.

Zonja Hoxha eshte aktualisht dhe anëtare e komitetit drejtues të Partisë socialiste. Kanë qenë muajt e fundit në krye të postave shqiptare kur drejtoresha e atëhershme Luiza Hoxha ka vendosur të kryejë një shitje masive të pullave. Bëhet fjalë për periudhën qershor Korrik të vitit të kaluar, që politikisht koincidon me ndërrimin e pushteteve në Shqipëri.

Ish-deputetja socialiste e Vlorës, e legjislaturës 1997-2001 dhe anëtarja aktuale e Komitetit drejtues të partisë socialiste ka lidhur kontratë me një subjekt privat duke realizuar, sipas njoftimeve të policisë shqipare shitjen e një sasie të konsiderueshme pullash dhe blloqesh pullash.

Ende nuk është dhënë një shifër e saktë e këtij transaksioni, por burime peranë hetuesve shpjegojnë se bëhet fjalë për miliona euro të cilat nuk kanë përfunduar në arkën e shtetit. Sipas njoftimit të policisë dëmi i shkaktuar është I konsiderueshëm.

Hetimet duket se kanë nisur nga një denoncim i drejtuesve të rinj të postave shqiptare. Verifikimet e bëra kanë vërtetuar dyshimet dhe sot në orët e para të mëngjesit policia ka trokitur në banesën e Hoxhës në një nga ndërtimet e reja në Tiranë.

Asaj i janë vënë menjëherë prangat nën akuzën e “vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Një akuzë e cilë nëse provohet edhe nga gjykata, parashikon disa vjet heqje lirie. Policia ka ekzekutuar urdhërin e prokurorëve të krimit ekonomik të kryeqytetit dhe masa ishte njohur më parë edhe nga gjykata.

Emri i Luiza Hoxhës u bë i njohur më së shumti gjatë trazirave të marsit 1997 në Vlorë. Ajo u akuzua hapur nga opozita e atëhershme për përfshirjen e saj në sulmet ndaj ndërtesës së shërbimeve sekrete të Vlorës apo sic është deklaruar për një kohë të gjatë, edhe në keqtrajtimin e disa punonjësve të këtij shërbimi.

XS
SM
MD
LG