Lidhje

Kryeministri Kosumi: Jo zgjatje e procesit për zgjidhjen e statusit  të Kosovës


Për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit që u zhvillua dje në New York ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi. Zëri i Amerikës e intervistoi kryeministrin Kosumi për emisionin “Ditari”:

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, kjo është hera e parë që një kryeministër i Kosovës merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit, si e vleresoni ju faktin e pjesëmarrjes tuaj në këtë takim?

Kryeministër Bajram Kosumi: Ishte një takim mjaft i mirë. Ishte hera e parë, siç e thatë edhe vetë, dhe është një hap i vogël përpara, por shumë i rëndësishëm për Kosovën. Për herë të parë, Kosova zyrtarisht prezantohet në Këshillin e Sigurimit, kur diskutohet dhe debatohet për Kosovën dhe tani e tutje, sa herë që të flitet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, Kosova do të jetë prezent dhe unë besoj se kjo, dita e djeshme, është një derë e vogël për vendin e Kosovës në OKB në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Në fjalën që mbajti dje Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, propozoi që çdo vendim rreth statusit të Kosovës të shtyhet për 20 vjet. Si do ta komentonit ju këtë propozim të tij?

Kryeministër Bajram Kosumi: Dje pati fjalime shumë të mira në Këshill të Sigurimit dhe unë do të dalloja për herë të parë faktin se atje është folur shumë hapur dhe pa ekuivoke për pavarësinë e Kosovës si një opsion jo vetëm real, por edhe si një opsion që do të llogaritet gjithësesi; për herë të parë anëtarë të Këshillit të Sigurimit e kanë bërë këtë debat atje. Kjo ka rëndësi historike për procesin që është duke ndodhë në Kosovë. Është një ndihmesë shumë e madhe për procesin. Presidenti serb nuk ofroi ndonjë mundësi të re për procesin në Kosovë, por zgjatja e procesit tashmë nuk ka sot asnjë përkrahës. Zgjatje e procesit do të thotë ngecja e tij në vend; kjo është diçka që nuk mund të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë. Grupi i Kontaktit tashmë e ka thënë fatmirësisht qëndrimin e vet, se zgjidhja e statusit final të Kosovës duhet të përfundojë në vitin 2006 dhe qeveria e Kosovës dhe Kosova e përkrah fuqimisht këtë parim të Grupit të Kontaktit.

Zëri i Amerikës: Raporti i paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan ishet kritik përsa i përket plotësimit të standarteve dhe pikërisht përsa i përket krijimit të një shteti ligjor në Kosovë. Me çfarë masash konkrete do të reflektojë qeveria e Kosovës për përmbushjen e kërkesave të bashkësisë ndëkombëtare?

Kryeministër Bajram Kosumi: Unë jam takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm Kofi Annan dhe kam diskutuar edhe lidhur me këto çështje. Ka disa fusha, për të cilat ka disa vështirësi në implementimin e standarteve në Kosovë, por unë kam e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm, por edhe të gjithë ambasadorët e tjerë në Këshillin e Sigurimit, se në ato fusha ne do të punojmë me përkushtim të madh që të arrihet edhe një progres edhe më i madh. Shteti ligjor në Kosovë është çdo ditë e më shumë, më i qëndrueshëm dhe më i mirë dhe ne kemi arritur që në gjashtë vjetët e pas luftës, nga një vend i luftës, nga një vend i shndërruar në ferr, të krijojmë një vend qytetar, një vend ku sundon ligji, shteti, rendi e të tjera. Edhe në takimet që pata me anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit, i kemi diskutuar këto çështje dhe unë i kam siguruar ata se Kosova është e aftë, është e përgatitur të hyjë në një fazë të re të funskionimit si shtet, t’i marrë të gjitha përgjegjësitë kushtetuese, ndërkombëtare, për të funskionuar si një shtet normal.

Zëri i Amerikës: Në rastin e një Kosove të pavarur, çfarë garancish institucionale do të siguroheshin për serbët e Kosovës? Kryeministër Bajram Kosumi: Çështja e komunitetit serb në Kosovë, është një çështje në tavolinë, duke u shqyrtuar dhe janë duke u shqyrtuar mundësitë e garantimit afatgjatë të të drejtave të tyre kushtetuese. Ne edhe deri më tash kemi ofruar garanci të tilla në dokumentet themelore të Kosovës, siç është korniza kushtetuese dhe ligje të tjera; edhe në të ardhmen jemi të gatshëm për të punuar dhe për të ofruar edhe zgjidhje të tjera, garanci të tjera për implementimin e të gjitha dokumenteve të tjera ndërkombëtare, veçanërisht ato të Kopenhagës, për minoritetet. Ne jemi të gatshëm të garantojmë implementinin e të gjitha atyre dokumenteve. Po ashtu shpresoj se gjatë procesit të statusit final ne do të arrijmë edhe disa marrëveshje që kanë të bëjnë edhe me komunitetin serb, siç është ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe. Një segment i decentralizimit prek edhe interesat e komuniteteve të vogla etnike, e të tjera. Në të gjitha këto fusha, nje jemi në gjendje të garantojmë realizimin e çdo kërkese të komunitetit serb që paraqet interes real për ta me të vërtetë. Por të gjitha këto, me kusht që të gjitha zgjidhjet që bëhen për komunitetin serb, si dhe për komunitete të tjera, të jenë pjesë e sistemit të pushtetit dhe të mos jenë pengesë e funksionalizimit të sistemit në Kosovën e re.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet për të cilat shqiptarët dhe serbët nuk bien dakord është decentralizmi. Si mendoni se do të realizohet në praktikë decentralizmi në Kosovë?

Kryeministër Bajram Kosumi: Është e vërtetë. Ka dy koncepte për decentralizmin: koncepti i Beogradi dhe ai Prishtinës. Koncepti i Beogradit është ai vjetri, decentralizimi i territorit, ndarja e territoreve, krijimi i territoreve të pastra etnike, i qyteteve etnike, i fshtrave etnike, i korridoreve etnike, e të tjera e të tjera. Ky koncept ka sjellë deri disa luftra dhe ai është i diskredituar. Përveç disa politikanëve në Beograd, askush tjetër nuk e përkrah këtë koncept. Koncepti i Kosovës është një koncept evropian, është decentralizim i pushtetit, ku në qendër të decentralizimit është qytetari i Kosovës, mundësia që qytetari i Kosovës të ndikojë sa më shumë me votën e vet, të ndikojë sa më shumë në organizimin e jetës së përditshme, e të tjera. Ky është koncepti që do të triumfojë, koncepti që ka përkrahje dhe besoj se procesi i decentralizimit edhe në Kosovë në të ardhmen do të mbështetet mbi këtë koncept evropian që është kultivuar në Prishtinë.

XS
SM
MD
LG