Lidhje

Rice: Duke rifilluar punën në fushën bërthamore, Irani nuk po e përfill komunitetin ndërkombëtar


Sekretaria amerikane e shtetit Condoleeze Rice tha se duke rifilluar punën në fushën bërthamore, Irani nuk po e përfill komunitetin ndërkombëtar.

Zonja Rice i tha sot komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se bota ka më shumë alternativa tani që çështja e Iranit i është referuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksione të mundshme.

Sekretarja Rice tha se do të shkojë në Egjipt e Arabi Saudite javën e ardhshme për bisedime mbi Iranin. Ajo tha gjithashtu se Departamenti amerikan i Shtetit ka në plan të kërkojë sivjet nga Kongresi edhe 75 milion dollarë të tjerë për nxitjen e demokracisë në Iran.

Ndërkohë, Rusia po i bën thirrje Iranit të ndalë veprimtaritë për pasurimin e uraniumit dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve rreth çështjes së programit bërthamor, program për të cilin perëndimi thotë se ka për qëllim prodhimin e armëve bërthamore. Ministri i Jashtëm rus Sergoi Lavrov thotë se zyrtarët rusë e iranianë do të diskutojnë mbi këtë çështje të hënën e ardhëshme në Moskë.

XS
SM
MD
LG