Lidhje

Nesër vizitojnë Tiranën dy zyrtarët e lartë të KE-së, Barroso dhe Rehn

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri pritet të vijë nesër Presidenti i Komisionit Europian Jose Emanuel Barroso i cili do të shoqërohet nga Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn. Zoti Rehn do të siglojë në një ceremony të vecantë së bashku me Ministrin e Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj faqen e parë të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Tiranës dhe Brukselit, akt që shënon zyrtarisht mbylljen e bisedimeve dhe cel rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes. Në një intervistë për mediat shqiptare zoti Barroso është shprehur se Shqipëria duhet ta kuptojë këtë si një gjest kompromisi Tre vjet më parë në fund të janarit të vitit 2003 ishte presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian Romano Prodi i cili erdhi në Shqipëri dhe firmosi hapjen e bisedimeve për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nesër, Jose Manuel Barroso, pasuesi i zoti Prodit do të asistojë në siglimin e tekstit të marrëveshjes që ndryshe përfaqëson mbylljen e bisedimeve. Barroso dhe Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn do të jenë në Tiranë, si pjesë e turneut rajonal të ndërmarrë këto ditë në Ballkan.

Komisioneri Rehn do të jetë ai që do të siglojë faqen e parë të lënë bosh në tekstin e marrëveshjes, së bashku me Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj. Teksti u siglua javën që shkoi në Tiranë nga Ministrja e Integrimit, Arenca Trashani dhe kryenegociatori europian Reinhard Priebe.

Fillimisht, ishte menduar që kjo të bëhej nga kryeministri Sali Berisha, por këto ditë u dhe ndryshimi i protokollit për shkak të faktit se Olli Rehn nuk përfaqëon nivelin e një kryetari qeverie.

Ndonëse e shkurtër, vizita e presidentit të Komisionit Europian, nuk do të lërë jashtë temat kryesore që pritet të trajtohen të cilat në linja të përgjithshme janë përmbledhur në termat e ritmit të reformave, shtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në axhendën e presidentit Barroso është shtuar edhe çështja e mediave pas debateve të hapura kohët fundit lidhur me ligjin e ri të qeverisë për televizionet që shkrinë Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve dhe Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit publik.

Në një deklaratë për mediat shqiptare Presidenti i Komisionit tha se ai do të shprehej rreth këtij debati pasi të kishte komunikuar me autoritetet shqiptare. Megjithatë, ai saktësoi se pavarësia e mediave është në mënyrë evidente një kusht absolut për të patur raporte besimi e progresi në rrugën evropiane.

Presidenti Barroso duke vlerësuar ecurinë e Shqipërisë, ka shpjeguar megjithatë, se vendit i mbetet shumë shumë punë për të bërë dhe se nënshkrimi i marrëveshjes duhej të kuptohej edhe si një gjest kompromisi nga ana e Komisionit Evropian.//lk

XS
SM
MD
LG