Lidhje

Si e festoi Shën Valentinin çifti i parë i SHBA-së

  • Ardita Simiçia

Shtëpia e Bardhë ishte shndërruar këtë të martë në një skenë argëtimi me Rastin e Ditës së Shën Valentinit. Presidenti Bush, zonja e parë Laura Bush dhe afro 100 të ftuar të tyre patën rastin të ndiqnin një koncert nga këngëtari Michael Fienstien, i cili kishte zgjedhur disa prej këngëve më romantike të repertorit të tij me këtë rast.

Festimet për Ditën e Shën Valentinit kanë qenë traditë e familjes Bush, por festoheshin zakonisht me një mbrëmje intime me të afërm dhe miq të ngushtë të familjes. Por vitin e kaluar familja Bush vendosi që ta shndërronte festimin në një mbrëmje ceremoniale, për t’iu përmbajtur angazhimit të Presidentit që gjatë mandatit të dytë të organizojë më shumë mbrëmje dhe festime në Shtëpinë e Bardhë.

Një proces gjyqësor që mund të ndryshojë përgjithënjë industrinë e argëtimit në Shtetet e Bashkuara.

Gjykata e Lartë e Kalifornisë ka marrë në shqyrtim një aktpadi të ngritur nga një ish-skenariste e komedisë televizive “Friends” – “Shokët” se ajo ishte bërë objekt ngacmimesh seksuale në vendin e punës.

Amaani Lyle thotë se gjatë periudhës 4-mujore që punoi si një ndër skenaristet e komedisë, i qëllonte shpesh të dëgjonte komente të pakëndshme nga punonjësit meshkuj, rrëfime të jetës intime të shoqëruara me vizatime dhe gjeste ofenduese, tregon ajo.

Avokati i saj argumenton se këto akte krijuan një mjedis të padurueshëm për skenaristen Lajl:

"Ajo ndeshej me një mjedis poshtërues, ku femrat shihen si argëtim për meshkujt,” thotë avokati i saj.

Skenaristët e tjerë të komedisë, të cilët akuzohen për sjellje të pahijshme, thonë se për ta është e nevojshme të ndjehen të lirshëm në vendin e punës, pasi u duhet të diskutojnë çdo gjë që mund t’i shërbejë skenarit.

Avokati i tyre argumentoi para Gjykatës së Lartë të Kalifornisë se puna krijuese e shkrimtarit nuk mund të tolerojë kufizime.

"Shkrimtarët në profesionin e tyre duhet të përdorin edhe banalitete, edhe shprehje vulgare."-thote avokati.

Nëse kompania Warner Brothers fiton, duke shpallur të pavlefshme akuzat e ngritura, industria e argëtimit mund të fitojë imunitet nga standartet që kufizojnë komunikimin në fusha të tjera, të cilat janë detyruar të penalizojnë akte dhe shprehje që konsiderohen si të pamoralshme. Kompania e cilëson luftën e saj në këtë proces gjyqësor si një fushatë në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe amendamentit të parë të kushtetutës.

Një film i ri amerikan pritet të nderohet me çmimin "Ariu i Artë" në Festivalin e Filmit në Berlin

Një film i ri, që ende nuk është hapur për publikun në Shtetet e Bashkuara, ka gjetur një pritje të ngrohtë si nga publiku ashtu edhe kritika në Gjermani, ku po shfaqet aktualisht. Filmi "A Prairie Home Companion", i regjizorit Robert Altman po konkuron në Festivalin e Fimit të Berlinit dhe pritet që të nderohet me çmimin më të lartë, Ariun e Artë.

Filmi bazohet në një emision variete për radio, që është transmetuar që në vitin 1974 në Shtetet e Bashkuara. Filmi i regjizorit të njohur Altman ka edhe një listë të gjatë emrash të njohur të Hollivudit, që nga legjendarja Maryl Streep, e deri tek ylli i ri i kinemasë amerikane Lindsay Lohan.

Maryl Streep thotë se filmi ishte një sfidë e madhe për të, pasi duhet të portretizonte një këngëtare të muzikës country. Ndërsa Lindsay Lohan shprehet shumë mirënjohëse për mundësinë që iu dha të luajë në një film të pavarur, i cili krijoi një atmosferë shumë të ngrohtë për të gjithë trupën.//lk

XS
SM
MD
LG