Lidhje

Vizita e presidentit të Komisionit Evropian në Ballkan


Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso dhe komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren ishin sot edhe në Maqedoni. Zoti Baroso vlerësoi përpjekjet e deritanishme të Maqedonisë në rrugën e integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Ai i këshilloi autoritetet maqedonase që të finalizojnë procesin e reformave, realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupcionit dhe forcimin e institucioneve. Sipas tij këto janë kushte kryesore që duhet të përmbushen në të ardhmen e afërt, tani që Maqedonia ka fituar statusin e vendit kandidat.

Komisioneri për zgjerim, Oli Ren bëri të ditur se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e lehtësimit të regjimit të vizave me Maqedoninë. Ai njoftoi se më 28 mars do të fillojnë bisedimet mbi këtë cështje. Vizita e dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian në Shkup është shoqëruar me protesta para selisë së Qeverisë të organizuara nga shoqatat joqeveritare maqedonase, të cilat protestonin kundër shitjes së korporatës elektroenegjetike maqedonase.

Në Shqipëri pritet të vijë nesër Presidenti i Komisionit Europian Jose Emanuel Barroso i cili do të shoqërohet nga Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn. Zoti Rehn do të siglojë në një ceremoni të veçantë së bashku me Ministrin e Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj faqen e parë të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Tiranës dhe Brukselit, akt që shënon zyrtarisht mbylljen e bisedimeve dhe çel rrugën për nënshkrimin e marrëveshjes.

Në një intervistë për mediat shqiptare zoti Barroso është shprehur se Shqipëria duhet ta kuptojë këtë si një gjest kompromisi. Tre vjet më parë në fund të janarit të vitit 2003 ishte presidenti i atëhershëm i Komisionit Europian Romano Prodi i cili erdhi në Shqipëri dhe firmosi hapjen e bisedimeve për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Nesër, Jose Manuel Barroso, pasuesi i zoti Prodit do të asistojë në siglimin e tekstit të marrëveshjes që ndryshe përfaqëson mbylljen e bisedimeve.

Barroso dhe Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn do të jenë në Tiranë si pjesë e turneut rajonal të ndërmmarë këto ditë në Ballkan. Komisioneri Rehn do të jetë ai që do të siglojë faqen e parë të lënë bosh në tekstin e marrëveshjes, së bashku me Ministrin e Jashtëm Besnik Mustafaj. Teksti u siglua javën që shkoi në Tiranë nga Ministrja e Integrimit Arenca Trashani dhe kryenegociatori europian Reinhard Priebe. Fillimisht ishte menduar që kjo të bëhej nga kryeministri Sali Berisha, por këto ditë u dhe ndryshimi i protokollit për shkak të faktit se Olli Rehn nuk përfaqëson nivelin e një kryetari qeverie.

Ndonëse e shkurtër, vizita e presidentit të Komisionit Europian, nuk do të lërë jashtë temat kryesore që pritet të trajtohen të cilat në linja të përgjithshme janë përmbledhur në termat e ritmit të reformave, shtetit ligjor, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në axhendën e presidentit Barroso është shtuar edhe çështja e mediave pas debateve të hapura kohët fundit lidhur me ligjin e ri të qeverisë për televizionet që shkrin Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve dhe Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit publik. Në një deklaratë për mediat shqiptare Presidenti i Komisionit tha se ai do të shprehej rreth këtij debati pasi të kishte komunikuar me autoritetet shqiptare. Megjithatë ai saktësoi se pavarësia e mediave është në mënyrë evidente një kusht absolut për të patur raporte besimi e progresi në rrugën europiane. Presidenti Barroso duke vlerësuar ecurinë e Shqipërisë, ka shpjeguar megjithatë se vendit i mbetet shumë punë për të bërë dhe se nënshkrimi i marrëveshjes duhej të kuptohej edhe si një gjest kompromisi nga ana e Komisionit Europian.//rd//

XS
SM
MD
LG