Lidhje

Morton Abramowitz: Pavarësia e Kosovës zgjidhje e pazëvendësueshme për statusin përfundimtar


Ish diplomati i mirënjohur amerikan, Morton Abramowitz, tani studjues në fondacionin Century, thotë se pavarësia është zgjidhje e pazëvendësueshme për statusin përfundimtar të Kosovës, është realitet i ri si rezultat i kushteve të krijuara në terren, që do t’u shërbente më mirë interesave të Serbisë që ta pranonte. Ish diplomati amerikan theksoi gjithashtu si domosdoshmëri të padiskutueshme për shtetin e Kosovës që të bëjë praktikë të jetës së përditëshme respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Zëri i Amerikës: Ambasador Abramowitz ju sapo jeni kthyer nga një vizitë në Kosovë. Sa e përgatitur është Prishtina për bisedimet me Beogradin për statusin përfundimtar?

Morton Abramowitz: Për herë të parë kthehem mjaft optimist për situatën atje. Jam më shumë optimist për çfarë po bën komuniteti ndërkombëtar por edhe për çfarë po bën vetë Kosova. Vdekja e Dr. Rugovën ishte humbje e madhe, por kjo situatë u kapërcye relativisht shpejt dhe në mënyrë paqësore. Ky është një faktor pozitiv. Unë jam më i interesuar se si do të procedojmë për statusin përfundimtar të Kosovës. Jam më optimist, së pari sepse Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët kryesorë të grupit të kontaktit janë gjithnjë e më tepër dakord se pavarësia është zgjidhja përfundimtare. Ky është një nga qëllimet e procesit të këtij viti. Ndër synimet e tjera janë garantimi i drejtave të pakicave, përfshirë mbrojtjen e pronës. Prandaj, për mendimin tim, negociatat do të përqendrohen më pak në pavarësinë e Kosovës se sa në kushtet e tjera që kanë të bëjnë me formimin e një shteti, si kujdesi për pakicat, për të siguruar funksionimin e tij. Jam mjaft optimist dhe i kënaqur që procesi po ecën në drejtimin e duhur dhe me rëndësi të jashtëzakonëshme është krijimi i shtetit funksional të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Për mendimin tuaj, a ka bërë mjat udhëheqja kosovare për të plotësuar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për trajtimin e pakicave?

Morton Abramowitz: Jo. Në asnjë mënyrë. Ata duhet të bëjnë shumë më tepër. Gjatë negociatave, jo vetëm që duhet të përcaktohen kriteret e mbrojtjes të të gjitha pakicave, jo vetëm atyre sërbe, por udhëheqja kosovare duhet t’i bëjë ato praktikë të jetës së përditëshme të Kosovës. Kjo nuk është e lehtë, nuk mund të bëhet me shpejtësi, do të duhet një kohë e gjatë për t’ia arritur kësaj, por udhëheqja duhet të tregojë qartë se ky është objektiv për të cilin Kosova është totalisht e angazhuar. Mendoj se kjo ende nuk ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Ambasador Abramowitz, shqiptarët dhe sërbët qendrojnë në pozita diametralisht të kundërta për sa i përket statusit përfunditar të Kosovës. Shqiptarët kërkojnë pavarësinë, (Abramowitz: Kjo është e pazëvendësushme) gjë që serbët nuk e pranojnë. Si mund të pajtohen qendrimet e tyre?

Morton Abramowitz: Parimisht, udhëheqja serbe, Kryeministri Koshtunica dhe Presidenti Tadiç, ka shumë pak të ngjarë që të bien dakord për kushte që do t’i hapnin rrugën pavarësisë së Kosovës. Zoti Nikoliç, udhëheqësi i radikalëve sërbe, ka thënë kohët e fundit se Kosova do të konsiderohet teritor i pushtuar për një kohë të pacaktuar dhe një ditë do t’i kthehet përsëri Sërbisë. Kjo është një pikpamje me të cilën jo të gjithë serbët janë dakord. Për mendimin tim kjo nuk është aspak e realizueshme, është një deklaratë destruktive për një shtet dinjitoz dhe të përparuar serb. Kjo është formulë e të kaluarës. Për fat të keq, udhëheqja serbe nuk e shikon me realizëm gjendjen aktuale dhe ka mentalitetin e shekullit të 19-të. Gjendja në terren ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, pjesërisht për shkak të Millosheviçit, por jo vetëm për shkak të Millosheviçit. Sigurisht që unë do të dëshiroja të arrihej një zgjidhje përmes negociatave me të gjitha elementet e nevojshme për ta bërë Kosovën shtet të sukseshëm. Nuk mendoj se kjo ka të ngjarë të ndodhë për arsyet që unë përmenda. Do të dëshiroja që kjo të ndodhte,... por unë jam skeptik,... nuk besoj se do të ketë një zgjidhje të tillë,... ky është thjesht mendimi im.

Zëri i Amerikës: Atëhere, a do të ishte e drejtë të presupozonim se statusi përfundimtar i Kosovës do të ishte i detyruar në një farë mase, në qoftë se jo plotësisht?

Morton Abramowitz: Besoj se po. Nuk e di se si do të përfundojë procesi, por e marr me mend se do të kemi të bëjmë me diçka që do ta miratojë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Se çfarë do të jetë dhe si do të trajtohet nuk e di. Mbetet për t’u parë.

XS
SM
MD
LG