Lidhje

Kompani amerikane nën akuzat se kanë ndihmuar censurën e qeverisë kineze


Drejtues të një numri kompanish të mëdha amerikane të internetit janë kritikuar ashpër nga Kongresi amerikan, nën akuzat se kanë ndihmuar Kinën për të censuruar dhe për të identifikuar kritikë të qeverisë kineze, të cilët komunikojnë përmes internetit. Procesi hetimor zhvillohet ndërkohë që kompanitë amerikane përpiqen të zhvillojnë biznes në Kinë, një prej tregjeve më fitimprurëse të botës.

Anëtarët e Kongresit i kritikuan drejtuesit e katër kompanive të mëdha të internetit, të cilat akuzohen se kanë bashkëpunuar me zyrtarët kinezë për të censuruar internetin dhe për të ndëshkuar kundërshtarët, në shkëmbim të mundësisë për t’u futur në tregun kinez të internetit. Përfaqësues të Microsoftit, Yahoos, Cisco Systems dhe Google u ndeshën me një numër pyetjesh të ashpra nga ligjvenës të të dyja partive, në një seancë të nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë.

Ligjvënësi republikan Jim Leach i akuzoi firmat e internetit se kanë bashkëpunuar me qeverinë kineze për të bllokuar faqet elektronike që shihen me dyshim nga Pekini, në shkëmbim të mundësisë për të përfituar nga tregu kinez. "Mendoj se ju keni vendosur një precedent në praktikat tregëtare amerikane, duke gjetur dhe zbatuar metodat më të këqija. Këto janë rrethana të çuditshme, por nëse ky Kongres do të mësojë praktika censurimi, mund ta mësojë prej jush."

Elliot Schrage, nënpresidenti i kompanisë Google tha se firma e tij nuk e pati të lehtë të vendoste për të censuruar faqet elektronike. "Nuk ishte diça që e bëmë me dëshirë. Po marrim masa që i kanë marrë edhe të tjerë më parë, të cilat së paku i bëjnë të vetëdijshëm përdoruesit në Kinë për përmasat e censurimit që ne na duhet të zbatojmë."

Kompania Google hapi muajin e kaluar një faqe të re me bazë në Kinë, por në mënyrë që të marrë një liçencë operimi në këtë vend, Google ka rënë dakort të heqë materiale që qeveria kineze i konsideron të papranueshme. Google thotë se donte të zhvillonte biznes në Kinë, ku mendohet se ka 110 milion përdorues të internetit, vendi i dytë në botë për nga numri i përdoruesve, pas Shteteve të Bashkuara.

Kompania Yahoo është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut se ka nxjerrë identitetin e një gazetari kinez, i cili më pas u dënua me 10 vjet burgim nën akuzat se kishte dërguar mesazhe elektronike në mbështetje të demokracisë në përvjetorin e masakrës së Sheshit Tiananmen. Michael Callahan, nënpresident i kompanisë, shprehu keqardhje për atë që i ndodhi gazetarit, dhe tha se kompania duhet të zgjedhë ndërmjet respektimit të ligjit kinez dhe alternativës për t’u tërhequr nga tregu kinez.

Zyrtarët kinezë ditët e fundit mbrojtën politikat e censurimit të veprimtarive në internet, duke theksuar se këto politika përputhen plotësisht me normat dhe praktikat ndërkombëtare. Kina ka mohuar gjithashtu se ka ndaluar persona thjeshtë sepse kanë shkruar në internet.

Kompanitë amerikane të internetit i kanë bërë thirrje qeverisë amerikane të luajë një rol më të madh në nxitjen e lirisë ndërkombëtare të internetit. Përndryshe, thonë analistët, kompanitë amerikane të teknologjisë së lartë që përpiqen të futen në tregun fitimprurës të Kinës, do të ndeshen me dilemën e zgjedhjes ndërmjet praktikave fitimprurëse të biznesit dhe respektimit të normave. //ad//

XS
SM
MD
LG