Lidhje

Bushek: Zgjidhja e çështjes së Kosovës do të kërkojë kohë dhe perspektiva të qarta integrimi në BE


Koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek thotë se për Kosovën beson të ketë ndonjë zgjidhje që të gëzojë mbështetjen e Beogradit. Në një intervistë që i dha koleges sonë Ardita Simiçia, zoti Busek foli edhe për Shqipërinë dhe tha gjithashtu se ka ardhur koha që Pakti I Stabilitetit të mbyllë gradualisht funksionet e tij.

Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk është aq e lehtë sa duan ta prezantojnë disa politikanë, thekson Koordinatori i Paktit të Stabilitetit. Duke pasur parasysh qëndrimet tejet të skajshme të dy palëve në diskutim, thotë ai, është e pamundur të thuhet se çfarë zgjidhjeje mund të marrë procesi: "Problemi qëndron në faktin që shqiptarët e Kosovës janë të bindur se pavarësia është fakt i kryer. Ndërsa serbët këmbëngulin se Kosova është pjesë e Serbisë, pretendime këto që shoqërohen edhe me një aureolë të madhe mitesh. Unë personalisht jam i bindur se nuk ka ndonjë zgjidhje që do të gëzojë mbështetjen e Beogradit. Ekziston mundësia e një 'zgjidhjeje të pamundur', pra që Beogradit t’i imponohet një zgjidhje. Kjo do të ishte shumë problematike, prandaj duhet që negociatat për statusin e Kosovës t’i ofrojnë Serbisë perspektivën e duhur."

Zoti Bushek thekson se asnjë politikan serb nuk është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë e një zgjidhjeje politike të statusit të Kosovës. Por ai u bën thirrje forcave reformatore në Beograd të përpiqen me guxim për një zgjidhje që do të ishte në vetë interesin e vendit të tyre: "Të gjitha palët në Serbi duhet të ngrenë pyetjen se çfarë u intereson serbëve tani? Ata duhet të kenë parasysh të ardhmen, zhvillimin dhe prandaj politikanët duhet të shohin më tepër nga e ardhmja e vendit të tyre. Unë gjithmonë i pyes: nëse Serbia do vërtetë ta administrojë Kosovën, a është në gjendje ta bëjë këtë, apo kjo alternativë do të krijonte konflikte të reja. Mendoj se e kaluara e tmerrshme që përjetuam i jep përgjigje kësaj pyetjeje."

Procesi, thekson zoti Bushek, do të ndihmojë palët të përgatisin një plan pune për vitet e ardhshme, por ai e shikon si të pamundur që të arrijë brenda vitit 2006 në një zgjidhje përfundimtare të statusit të Kosovës.

Koordinatori i Paktit të Stabilitetit i hodhi një vështrim të përgjithshëm të gjendjes në rajon, duke theksuar se të gjitha vendet e Evropës Juglindore duhet të shohin përparimin e tyre të lidhur me mbarëvajtjen e gjithë rajonit, pasi asnjë nga vendet individuale nuk mund të ecë në mënyrë të pavarur. Në një ekonomi të hapur globale, thekson ai, është e pamundur të tërhiqen investitorë të fuqishëm në vende me popullsi dhe fuqi ekonomike aq të vogël, sa ç’janë vendet e Evropës Juglindore.

Zoti Bushek vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin e Shqipërisë me Paktin e Stabilitetit dhe programin e qeverisë së kryeministrit Berisha në luftën kundër korrupsionit: "Bashkëpunimi me qeverinë e re të Shqipërisë duket se po ecën shumë mirë, veçanërisht në lidhjet me Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë, gjithashtu edhe me Ministrinë e Tregëtisë dhe të Mbrojtjes." Zoti Busek shtoi se administrata e kryeministrit Berisha është ende e re dhe se Pakti do t’i ndjekë me kujdes veprimet e saj për të parë sa do të zbatohet programi i parashtruar.

Niveli ekonomik i vendit, shtoi më pas zoti Bushek, mbetet problematik. Megjithëse Shqipëria ka përjetuar një rritje ekonomike të kënaqshme gjatë viteve të fundit, ajo u fut në ekonominë e tregut nga një nivel tepër i ulët, prandaj edhe vazhdon të ndeshet me probleme më të mëdha se vende të tjera në rajon. Vendi, shtoi ai, ka nevojë për investime të fuqishme nga jashtë, por kjo nuk është e lehtë të realizohet: "Një problem i madh është se nganjëherë, komuniteti i biznesit në Evropë harron se Shqipëria ekziston. Prandaj po vazhdojmë fushatën për të sjellë Shqipërinë në qendër të vëmendjes. Shqipëria ka një numrë sfidash, disa prej të cilave mund të zgjidhen edhe me ndihmën e Paktit të Stabilitetit si furnizimi energjetik, një kusht jetik për tërheqjen e investimeve."

Në përfundim të diskutimit të tij, zoti Busek vlerësoi me nota pozitive rolin e Paktit të Stabilitetit, duke e cilësuar atë si një shembull i bashkëpunimit të suksesshëm transatlantik. Por ka ardhur koha, tha ai, që ky Pakt të mbyllë gradualisht funksionet e tij: "E kam filluar procesin për t’i dhënë fund Paktit të Stabilitetit. Ideja është që pakti të shkrihet dhe t’u japë vendeve përgjegjshmëri individuale. Tani po përpiqemi të krijojmë një plan pune që gradualisht vendet individuale të marrin përsipër përgjegjësitë."

Ky proces, thotë zoti Bushek, shënon jo vetëm përmbushjen me sukses të funksioneve të Paktit, por është gjithashtu tregues i pjekurisë që kanë arritur vendet e Evropës Juglindore, të cilat do të marrin gradualisht përgjegjësitë dhe e kanë provuar se janë të përgatitura të ecin me këmbët e tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG