Lidhje

Në Vjenë përfundoi dita e dytë e bisedimeve Prishtinë-Beograd


Në Vjenë përfundoi dita e dytë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga OKB-ja, midis Prishtinës dhe Beogradit. Palët ranë dakort të takohen përsëri muajin e ardhshëm.

Zëvendësi i të dërguarit të OKB-së për statusin e Kosovës, diplomati austriak Albert Rohan tha se diskutimet u zhvilluan në frymë bashkëpunimi. Palët, tha ai, gjetën disa pika të përbashkëta për kompetencat e pushtetit lokal.

Zoti Rohan tha se diskutimet nuk prekën temën kryesore, atë të kërkesës së palës shqiptare për pavarësi, një qëndrim që Beogradi e kundërshton. Por ai tha se të dyja palët tanë dakort të takohen përsëri më 17 mars. Zyrtarët thonë se bisedimet mund të zgjasin me muaj të tërë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli tha sot se bisedimet e Vjenës midis Prishtinës dhe Beogradit synojnë gjetjen e rrugëve për të mbrojtur sa më mirë të drejtat e pakicave në Kosovë përmes procesit të decentralizimit.

Zoti Ereli shtoi se e ardhmja e Kosovës nuk do t’u diktohet banorëve. U takon banorëve, tha ai, të vendosin për të ardhmen e tyre. Zgjidhja tha zëdhënësi amerikan, duhet të bazohet në mbrojtjen e përshtatshme për pakicat dhe të jetë e pranueshme për gjithë banorët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG