Lidhje

Intervistë me kryetarin e delegacionit të Kosovës, Lutfi Haziri


Zëri i Amerikës: Zoti Haziri, a ranë palët dakort për diçka tjetër, veç rifillimit të biseidmeve më 17 mars?

Lutfi Haziri: Në fakt ne sot kemi diskutuar që disa nga kompetencat e komunave të Kosovës, që parashihen në gjendjen e pas statusit, të barten dhe në mesin e tyre ka qenë arsimi, shëndetësia, kultura, çështjet sociale. Bazuar në dokumentin e delegacionit të Kosovës, bartja e tyre shton interesin e të gjitha grupeve etnike që bashkë me pushtetin lokal të udhëheqin, të administrojnë me disa përgjegjësi që janë pjesë e të drejtës së komunave dhe ashtu plani ynë është i bazuar në vlera që i jep rëndësi të veçantë rolit të qytetarit në vendim-marrje, ku grupet etnike mund të përfitojnë dhe në këtë kontekst mund t’i realizojnë të drejtat e tyre që kanë të bëjnë me këto fusha që përmendëm më lart.

Zëri i Amerikës: Dhe cila ishte përgjigjia e palës serbe ndaj këtij plani të ofruar nga pala shqiptare?

Lutfi Haziri: Dokumenti, si pjesë e tillë nuk është diskutuar. Kërkesa jonë ka qenë që të diskutohej axhenda e paraparë. Natyrshëm që serbët kanë ardhur me një platformë të tyre, platformë e cila është bazuar në ndarjen e komuniteteve në Kosovës, bazuar në dizintegrim dhe në segregacion, përkundër angazhimit tonë që procesi i reformave në pushtetin lokal, që janë mundësi integrimi, mundësi të eliminimit të strukturave paralele në Kosovë dhe krijon apo ndërton vlera të reja në vetëqeverisjen lokale në Kosovë.

Dallimi është konceptual, dallimi është shumë i madh dhe gjatë diskutimeve që do të ndodhin gjatë procesit të reformës në pushtetin lokal, sigurisht që ne do të argumentojmë, do të sqarojmë të gjitha çështjet e nevojshme në mënyrë që të bindim të gjithë faktorët se doklumenti i Prishtinës, dukumenti i institucioneve të Kosovës është dokumenti që siguron funksionalitet, efikasitet dhe vendim-marrje në pushtetin lokal në këtë kontekst.

Zëri i Amerikës: A patët ndonjë pikë të përbashkët ku ju dhe pala serbe ishin dakord për diçka gjatë gjithë këtyre temave që diskutuat?

Lutfi Haziri: Nuk mund të them që kishte diçka të përafërt. Përkundër diskutimeve që kanë ndodhur në shtatë fusha specifike, ne paraqesim dy koncepte krejt të kundërta dhe derisa pala kosovare dhe ne jemi treguar unikë në qëndrime dhe kemi paraqitur dokumentin e vetëm dhe me një zë duke argumentuar, tek pala tjetër ka dallime mes anëtarëve të delegacionit, ka konfuzion në kërkesa dhe sigurisht në proces e sipër do të sqarohet, por ajo që është e rëndësishme platformat tona dallojnë konceptualisht dhe do të jetë e vështirë që të përafrohet diçka në këtë kontekst, në këto ditët e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Si do t’i karakterizonit ju bisedimet e këtyre dy ditëve?

Lutfi Haziri: Mund të them që është një angazhim serioz edhe i ndërmjetësuesit për status, zotit Ahtisaari dhe delegacioni i Kosovës ka patur një qëndrim konstruktiv, një qëndrim pozitiv dhe një angazhim maksimal për të kontribuar në përshpejtimin e procesit për status dhe po ashtu delegacioni serb është angazhuar, por megjithatë unë mund të them që është një nisje që premton se zgjidhja e statusit gjatë kësaj vere të vonshme të këtij viti si e vetmja rrugë e mundshme për të hapur mundësi të zhvillimit të procesit dhe implementimit të të gjitha këtyre kërkesave që janë të nevojshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për grupet etnike në veçanti.

Zëri i Amerikës: Zoti Haziri, në bisedimet e tanishme nuk është prekur çështja e statusit, të paktën kështu është thënë për publikun, megjithatë çështja që është diskutuar, e drejta e pakicave, shpesh herë është thënë nga vëzhguesit se do të jetë thelbi i gjithë procesit të mëtejshëm. Bazuar tek përvoja e këtyre dy ditëve, nga takimi i parë, sa të vështitë e shihni për të ardhmen, ecurinë e procesit të negociatave?

Lutfi Haziri: Keni të drejtë. Këto dy ditë është diskutuar vetëm për aktivitete specifike, që përfshijnë të drejtën komunale, por statusi është diçka e patejkalueshme, ku kemi të bëjmë me rregullimin edhe të pushtetit lokal, edhe të kompetencave të tyre, sepse gjithçka është e lidhur në kontekst të një gjendjeje pa status. Ne e kemi qëndrimin të qartë: një Kosovë të pavarur, e kemi idenë tonë sesi mund të implementohet dhe të rregullohet procesi i administrimit të pushtetit lokal në Kosovë në tërësi, përderisa platforma këtë e çon në kontekst krejt të kundërt, të kontrollit territorial të Kosovës dhe të administrimit të Kosovës, përmes lidhjeve institucionale që Beogradi parasheh.

Këtu është ajo sfida më e madhe të cilën bashkësia ndërkombëtare e ka pretenduar edhe kësaj here ta qartësojë, me biseda të drejtpërdrejta delegacionin serb, që të jetë konstruktiv, në mënyrë që ky proces është i lidhur me statusin në tërësi dhe nuk ka marrëveshje të njëanshme. Nuk mund të ketë marrëveshje të njëanshme vetëm për decentralizim, apo për probleme të tjera që diskutohen këtu në Vienë, por në kuadër të marrëveshjes për status do të hyjnë në paketë të gjitha marrëveshjet e tjera përcjellëse, që do të jenë pjesë e angazhimeve tona në gjendjen e pas statusit.

XS
SM
MD
LG