Lidhje

Prokurorja  e Gjykatës së Hagës hedh poshtë spekullimet për arrestimin e Mlladiçit


Prokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës, Carla del Ponte, thotë se i dyshuari për krimet e luftës në Bosnjë, Ratko Mladic, akoma vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Komentet e zonjës Del Pontes kanë hedhur poshtë spekulimet se Ratko Mlladici, një ish komandant i ushtrisë serbe të Bosnjës, ishte arrestuar në Serbi. Del Ponte u tha gazetarëve se autoritetet serbe e kishin njoftuar se Mlladici nuk ishte ndaluar.

“Nuk ka asnjë lloj informacioni se po vazhdojnë negociata rreth dorëzimit të tij. Kam kontaktuar me autoritetet në Beograd mbrëmë dhe ata më siguruan se nuk kishte asgjë të vërtetë rreth lajmeve që ishin përhapur. Fatkeqësisht Mlladici ndodhet i lirë”.

Mlladiç kërkohet nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në Hagë. Ai është akuzuar për urdhërat për masakrimin e tetë mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në atë që është cilësuar si masakra më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Del Ponte thotë se autoritetet serbe duhet të bëjnë të sigurtë daljen e tij para drejtësisë.

“Ratko Mlladic ndodhet në Serbi dhe nuk ka dyshim për këtë. Ai ndodhet në atë vend që nga viti 1998. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai ka qënë dhe vazhdon të jetë brenda territorit ku mund të arrestohet nga autoritetet serbe. Arrestimi i tij është i mundshëm dhe duhet bërë menjëherë. Pres që të gjitha autoritetet serbe të punojnë më shumë për realizimin e këtij objektivi”.

Zonja Del Ponte thotë se Bashkimi Evropian mund të shtojë presionin ndaj Serbisë, e cila dëshiron t’i bashkohet bllokut prej 25 vendesh. Ajo thotë se afatet kohore të Bashkimit Evropian të lidhura drejtëpërdrejt me sanksione do të sillnin rezultate.

XS
SM
MD
LG