Lidhje

Shtëpia e Bardhë mbron vendimin për t’i shitur operacionet në gjashtë porte amerikane një kompanie arabe


Shtëpia e Bardhë i ka dalë në mbrojtje planeve për t’i shitur një kompanie që është pronë e Emirateve të Bashkuara Arabe, operacionet në 6 portet kryesore amerikane. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClallan tha sot se marrëveshja ishte shqyrtuar me kujdes nga agjencitë amerikane të zbulimit, lidhur me çështje të sigurimit.

Si demokratët ashtu edhe republikanët kanë shprehur kundërshtim ndaj planit, duke ngritur shqetësimet për sigurimin kombëtar. Kjo marrëveshje do t’i jepte kompanisë Dubai Ports, e cila është pronë shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe, kontrollin për shumicën e operacioneve në portet e New Jorkut, Filadelfias, Baltimorës dhe tre porteve të tjera kryesore.

Zoti McClellan tha se kompania e Emirateve të Bashkuara nuk duhet trajtuar ndryshe nga kompania britanike, e cila kontrollon aktualisht operacionet e transportit detar. Republikanët i kanë bërë thirrje administratës të vonojnë shitjen, ose në rast të kundërt, do të përballen me ligje që janë përpiluar pikërisht që ta bllokojnë atë. Dje, Presidenti Bush tha se do t’i vinte veton ligjit, që synon anullimin e marrëveshjes.

Portet detare janë zemra e tregëtisë në Shtetet e Bashkuara me mbi dy miliardë tonë mallra që kalojnë ëdo vit përmes tyre. Shumë ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se ato janë gjithashtu hallka më e dobët në luftën kundër terrorizmit pasi vetëm pesë deri në shtatë për qind të ngarkesave kontrollohen nga forcat e sigurisë.

“As nuk vihet në dyshim që portet janë një nga pikat më të ekspozuara. Aq të pakta janë ngarkesat që inspektohen, saqë mundësia është shumë e madhe që përmes tyre të futet diçka e rrezikshme”, thotë Jerry Hauer, ish-shefi i zyrës së menaxhimit të emergjencave të Nju Jorkut.

Ai dhe zyrtarë të tjerë besojnë se qeveria nuk po bën sa duhet për të ngritur nivelin e sigurisë në porte. Tani vendimi i administratës së Presidentit Bush për të lejuar një kompani shtetërore të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dubai Ports World, që të marrë në dorë operacionet në gjashtë porte kryesore nga New Yorku në New Orleansi, ka indinjuar anëtarë të të dyja partive politike.

Anëtari republikan i Kongresit Peter King, Kreu i Komisionit për Siguri Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve është njëri prej kritikëve dhe thekson se dy nga rrëmbyesit e 11 shtatorit ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Thjesht jam kundër menxhimit të porteve të Shteteve të Bashkuara nga çfarëdo qeverie e huaj. Dubai, veçanërisht ka një histori të keqe”.

Senatori demokrat Charles Schumer i Nju Jorkut thotë se marrëveshja jo vetëm që është e gabuar, por edhe e rrezikshme.

“Lënia e operacioneve të porteve tona më të mëdha në duart e një vendi të përfshirë prej kohësh në terrorizëm, i bën aksidentet e sigurisë vetëm çështje kohe”.

Administrata thotë se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë të përfshira në terrorizëm dhe i konsideron ato një vend aleat. Drejtori i Sigurisë Kombëtare Michael Chertoff thotë se marrëveshja ishte plotësisht nën kontroll.

“Ne marrim masat që të ketë garanci të mjaftueshme që të mendojmë që marrëveshja nuk paraqet rrezikshmëri nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”.

Sekretari Chertoff thekson se kontrata është vetëm për operacionetr e portit, ndërsa siguria mbetet në duart e qeverisë amerikane.

Por dy guvernatorë republikanë, në shtetet e të cilëve ka porte të mëdha po paralajmërojnë se do të të ndërmarrin hapa ligjore. Ndërsa dy senatorë demokratë dhe udhëheqësi i shumicës republikane Bill Frist kanë në plan të paraqesin një projekt-ligj që do të ndalonte lënien e operacioneve të portit në duart e qeverive të huaja.

XS
SM
MD
LG