Lidhje

Mbi 130 irakianë të vrarë gjatë dy ditëve me dhunë sektare


Mbi 130 irakianë, pjesa më e madhe suni, mbetën të vrarë gjatë dy ditëve të dhunës sektare, që pasoi shpërthimin e djeshëm në një prej objekteve më të shenjta të myslimanëve shiitë.

Dhjetëra xhami suni janë sulmuar, megjithëse udhëheqës politikë dhe fetarë të Irakut kanë bërë thirrje për gjakftohtësi, nga frika e një lufte civile. Policia gjeti trupat e dhjetra personave të vrarë në Bagdad dhe përreth tij gjatë natës, pasi sulmuesit hodhën në erë xhaminë Askariya në Samarra. Jashtë Bagdadit autoritetet gjetën trupat e 47 personave të vdekur, të qëlluar me armë. Pranë Samarrës, persona të armatosur vranë 3 gazetarë të rrjetit televiziv Al Arabija.

Në qytetin jugor të Basrës, persona të armatosur, të veshur me uniforma policie sulmuan një burg dhe vranë 11 të burgosur suni, përfshirë edhe një numër luftëtarësh të huaj. Një aleancë e rëndësishme politike e arabëve suni tha se nuk do të marrë pjesë në takimin shumë partiak, të cilin e organizon presidenti Jalal Talabani për të diskutuar gjendjen.

Aleanca tha se do t’i bojkotojë bisedimet lidhur me formimin e qeverisë së re. Ndërkaq, në pjesën veriore të Irakut, dy shpërthime bombash të vëna në anë të rrugës shkaktuan dje vdekjen e shtatë ushtarëve amerikanë.//lk

XS
SM
MD
LG