Lidhje

Presidenti Bush mbron marrëveshjen për operacionet në portet amerikane

  • Skot Stërns

Presidenti Bush po mbron një marrëveshje e cila do t’i hapte rrugën një kompanie me bashkëpronësi nga Emiratet e Bashkuara Arabe të administronte operacionet në gjashtë porte të rëndësishme amerikane. Korrespondenti ynë, Scott Stearns, njofton nga Shtëpia e Bardhë se Presidenti po ndeshet me kundërshtime, si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët, të cilët thonë se kjo marrëveshje vë në rrezik sigurimin kombëtar.

Presidenti Bush thotë se sa më shumë të informohen njerëzit rreth marrëveshjes, aq më tepër do të jenë të qetë përsa i përket sigurimit të Shteteve të Bashkuara.

“Nuk duhet të shqetësohemi për sigurimin kombëtar. Kjo marrëveshje nuk do të zbatohej, nëse do të kishim shqetësime për sigurimin kombëtar”.- tha ai.

Udhëheqës republikanë, si në Senat, dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë shprehur shqetësime në lidhje me këtë marrëveshje dhe po kërcënojnë të miratojnë një ligj për bllokimin e saj. Presidenti Bush është përgjigjur me një kërcënim nga ana e tij. Ai ka thënë se do t’i vinte veton çdo mase legjislative që do të vononte apo sabotonte kontratën e cila u miratua nga zyrtarë të 12 agjencive federale.

Debatet filluan pas njoftimit se firma britanike, e cila administron operacionet e porteve, po blihej nga Dubai Ports World, pronare e së cilës është familja sundimtare e Emirateve të Bashkuara Arabe. Presidenti Bush thotë se kundërshtarët e marrëveshjes me sa duket besojnë se administrimi i porteve nga një firmë britanike është i pranueshëm, por jo nga një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shtet për të cilin ai thotë se është një aleat i çmueshëm në luftën kundër terrorizmit.

“Është me të vërtetëe rëndësishme që të mos u dërgojmë aleatëve në mbarë botën mesazhe të paqarta, ndërkohë që kemi një koalicionin kundër terrorizmit. Prandaj, Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë të bisedojë me ligjvënës e senatorë dhe t’u shpjegojë qartë përse është marrë ky vendim”, - tha Presidenti.

Kritikët thonë se me Dubain lidhen ngjarje pozitive dhe negative kur është fjala për luftën kundër terrorizmit, meqenëse Emiratet e Bashkuara patën njohur qeverinë talebane në Afganistan, por në këtë vend janë zhvilluar edhe disa nga planet për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Presidenti Bush nuk kishte dijeni për marrëveshjen deri pas miratimit të saj. Shtëpia e Bardhe e pranon se duhej të kishte informuar pjesëtarë të Kongresit më herët. Në përpjekje për të zbutur kundërshtimet nga të dyja partitë, administrata po përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Emiratet e Bashkuara, ndër të tjera mbështetja për operacionet e flotës ajrore dhe marinës së qeverisë së Dubait dhe pjesëmarrje në kontrollin elektronik të kontenierëve para se të nisen në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë thotë se Dubai po lufton terroristët përmes shkëmbimit të informacionit dhe duke u këputur burimet financiare. Në një deklaratë thuhet se Emiratet e Bashkuara Arabe janë aleat i rëndësishëm në Afganistan e Irak dhe se ka qenë një nga shtetet e para që ofroi ndihmë financiare pas Uraganit Katrina.//lk

XS
SM
MD
LG