Lidhje

Rusi: Të paktën 51 vetë humbën jetën pas rrëzimit të çatisë në një treg të Moskës


Autoritetet ruse thonë se të paktën 51 vetë humbën jetën pas rrëzimit të çatisë në një treg të Moskës sot në mëngjes. Të paktën 32 vetë u plagosën, përfshirë dy nga trupat e shpëtimit.

Zjarrfikësit arritën të shuajnë një zjarr që shpërtheu pas rrëzimit të çatisë. Ekipet e shpëtimit po lëshojnë ajër të ngrohtë me pompa në rrënoja për të mbrojtur të mbijetuarit e bllokuar dhe kërkojnë herë pas here që të mbahet qetësi në përpjejkje për të dëgjuar zërat e atyre që kanë mbetur brenda. Shumë viktima janë nga Kaukazi, veçanërisht nga Azerbaixhani.

Autoritetet thonë se do të japin rreth 3 mijë e 500 dollarë si kompensime për familjet e viktimave. Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për një hetim për shkaqet. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Juri Luzhkov, tha se ka tre faktorë që mund ta kenë shkaktuar tragjedinë: mungesa e mirëmbajtjes së ndërtesës, grumbullimi i një sasie të madhe bore, ose edhe gabime në projektin e ndërtesës.

Zyrtarët thonë se aksidenti ndodhi para se tregu të hapej për publikun. Shumë tregëtarë ishin brenda duke u përgatitur për të filluar shitjet gjatë një feste kombëtare për nder të forcave të armatosura.//lk

XS
SM
MD
LG