Lidhje

SHBA: Debate të reja mbi kontratën e kompanisë Dubai Ports World


Anëtarët e Kongresit amerikan vazhdojnë të shprehin shqetësim lidhur me miratimin nga administrata e Presidentit Bush të kontratës që do t’i jepte mundësi një kompanie të Emirateve të Bashkuara Arabe të merrte nën kontroll operacionet e transportit në 6 porte të rëndësishme amerikane. Nga ana e tyre zyrtarët po përpiqen t’i bindin ligjvënësit se nuk ka vend për shqetësime. Vetë kompania ka ofruar t’i shtyjë planet për të marrë përsipër menaxhimin e porteve, gjatë kohës që Presidenti Bush e diskuton këtë çështje me Kongresin.

Presidenti Bush po përpiqet të ulë shqetësimet e shumta të këtyre ditëve pas njoftimit se firma Dubai Ports World me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe po merr përsipër operacionet në porte të rëndësishme amerikane, të cilat më parë kryheshin nga një firmë britanike.

Presidenti ka kërcënuar t’i vërë veton çdo ligji që do të bllokonte nënshkrimin e marrëveshjes me vlerë 6 presje 8 miliard dollarë, duke thënë se një rishikim i hollësishëm nga qeveria arriti në përfundimin se kjo kontratë nuk përbën kërcënim ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. "Askush nuk duhet të shqetësohet për sigurinë. Nuk do të kishim arritur marrëveshje nëse do të kishim dilema për sigurinë," tha presidenti.

Zyrtarët e administratës po theksojnë se Roja Bregdetare dhe Doganat do të vazhdojnë të kenë përgjegjësinë e ruajtjes së sigurisë në porte dhe se kompania Dubai Ports World do të ketë nën administrim operacionet e ngarkim-shkarkimit dhe operimin e stacioneve.

Në një seancë para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura dje, ligjvënësit ngritën përsëri kërcënimet ndaj sigurimit që paraqet kjo marrëveshje. Senatorja Hillary Clinton kritikoi procesin e rishikimit të masave të sigurimit në porte nga ana e administratës, si dhe përpjekjet e qeverisë për të rritur sigurimin në mënyrë që armë të shkatërrimit në masë të mos futen në Shtetet e Bashkuara. "Ky proces tregon një dështim gjykimi. Pas 11 shtatorit, siguria në porte nuk duhet marrë kaq lehtë. Vetëm 5 për qind e mallrave që futen në Shtetet e Bashkuara inspektohen. Ekspertët rekomandojnë 15 deri në 20 për qind, tha Senatorja.

Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes Gordon England argumentoi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një aleat i fortë në luftën kundër terrorizmit, pasi kanë lejuar një numër të madh avionësh luftarakë, anijesh dhe trupash amerikane të dislokohen në territorin e tyre. Zoti England tha se është themelore që Amerika të mos diskriminojë kundër vendeve arabe mike: "Është e rëndësishme që t’i trajtojmë miqtë dhe aleatët tanë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë në mbarë botën, pa diskriminuar, përndryshe do të dëmtonim luftën tonë. Terroristët duan që vendi ynë të humbasë besimin. Ata duan që ne të frikësohemi dhe të izolohemi. Unë mendoj se s’mund ta lejojmë një gjë të tillë," tha zoti England.

Komisione të tjera pritet të organizojnë seanca me pyetje përgjigje lidhur me çështjen e porteve. Projekt-ligjet mund ta vonojnë nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes ose të ndalin plotësisht firmat e huaja që kërkojnë të operojnë portet amerikane. //ad//

XS
SM
MD
LG