Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu shpreh shqetësim për përplasjet mes pozitës dhe opozitës

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri presidenti Alfred Moisiu u shpreh sot i shqetësuar për zhvillimet e ditëve të fundit që kanë vënë në një përplasje direkte pozitën dhe opozitën, si dhe kanë bllokuar punimet e parlamentit. Shqipëria dhe populli shqiptar ,u shpreh kreu i shtetit presin zhvillime të tjera e jo ngjarje si këto që po ndodhin, duke përsëritur edhe një herë thirrjen se të dy kampet politike duhet të kenë komunikim e marrëdhënie mes tyre për të ndihmuar në ecurinë e vendit.

I sapokthyer nga një vizitë dy ditore në Itali ku u takua me presidentin italian Karlo Axelio Ciampi dhe në Vatikan me papa Benediktin XVI presidenti Alfred Moisiu ka komentuar shkurtimisht zhvillimet e vrullshme dhe kthesën e papritur që mori rrjedha politike në vend pas seancës së mocionit për shkarkimin e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli.

Kreu i shtetit tha se i kishte ndjekur këto ngjarje dhe shprehu keqardhjen që pak ditë pas siglimit të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE, të gjithë prisnin gjëra të tjera dhe jo zhvillime të tilla.

Presidenti ishte i kursyer në komentet e tij dhe evitoi që të jepte vlerësime se nga cila anë ishte e drejta. Ai i qëndroi pozicionit të tij si kryetar shteti duke u mjaftuar me thirrjen e përsëritur se pozita dhe opozita duhet të kenë një komunikim e marrëdhënie shumë të mira që të ndihmojnë ecurinë dhe zhvillimin e vendit.

Ai kujtoi se Shqipëria ka mjaft probleme me të cilat duhet të përballet cdo ditë dhe se “populli pret që politikanët të merren seriozisht me hallet e tyre”; por thirrjet e presidentit Moisiu duket se disa herë kanë rënë në vesh të shurdhët dhe se partitë shqiptare janë më shumë të zëna me përplasjet mes tyre. Aktualisht të dyja palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre. Opozita e majtë e cila gjatë gjithë kësaj periudhe që nga zgjedhjet e 3 korrikut ka qenë e përcarë, për herë të parë u bashkua në protestat kundër mënyrës së votimit për mocionin e shkarkikimit të zonjës Topalli.

Të majtët janë të vendosur që të mos marrin pjesë në komisionet parlamentare dhe as në mbledhjet e kryetarëve të grupeve parlamentare, ndërsa do të tentojnë që cdo seancë të bllokojnë punimet e parlamentit derisa të përsëritet votimit për mocionin. Por nga ana e tyre, demokratët e konsiderojnë tashmë këtë cështje si një kapitull të mbyllur dhe i kanë bërë thirrje opozitës që të kthehet e të marrë pjesë në punimet e komisioneve.

Sipas kryetarit të grupit parlamentar të Partisë demokratike Bamir Topi, "nga ana e opozitës ka pasur jo vetëm një dhunim të atmosferës parlamentare, por është krijuar edhe një situatë e papranueshme në një kohë kur pritet një reformim i ndjeshëm i Kodit Zgjedhor".

XS
SM
MD
LG