Lidhje

Grupi fetar Opus Dei përpiqet të përmirësojë imazhin


Opus Dei është një grup i vogël katolik, i njohur për ruajtjen e sekreteve. Por tani ky grup po del në publik....duke u munduar që ta përdorë të gjithë ndikimin negativ të librit “Kodi i Da Vinçit” në favor të tij, duke përhapur kështu mesazhin e vet dhe për t’i treguar botës se kush është Opus Dei i vërtetë. Dhe e gjithë kjo ndodh ndërkohë që afrohet data e daljes në kinema të filmit të bazuar në novelën “Kodi i Da Vinçit”.

Pas pothuajse tre vitesh në listën e librave më të shitur, novela e Dan Brown-it “Kodi i Da Vinçit” është gati të kthehet në një nga filmat më të parë. Filmi i regjisorit Ron Howard del në kinema me 19 maj ndërkohë që kanë filluar reklamat.

Por krahas reklamave për filmin, grupi katolik Opus Dei, që latinisht do të thotë “Puna e Zotit”, po fillon fushatën e tij publike. Grupi është mjaft kritik si ndaj librit dhe filmit. Për ata që kanë lexuar librin, zyra qendrore e Opus Deit në New York nuk është vendi ku flitet për novelën “Kodi i Da Vinçit”.

Organizata konsevatore i ka kaluar vitet e fundit duke u munduar t’i shpëtojë hijes së librit, pasi novela e portretizon Opus Dein si një sekt vrasës të orientuar ndaj fuqisë dhe vetë-sakrificës. Por tani komuniteti pak i njohur fetar po mundohet të përmirësojë imazhin para shfaqjes së filmit.

Zëdhënësja e Opus Deit, Teri Keron, thotë se grupi i saj nuk po bën thirrje për bojkotimin e filmit. “Shpresojmë se njerëzit do të fillojnë të bisedojnë rreth besimit të tyre ... dhe se ata do të zbulojnë gjërat që nuk i dinë ... pra do të zbulojnë se sa nuk dinë. Kështu që ata do të fillojnë të zbulojnë gjëra të reja rreth Opus Deit."

Por drejtuesit e lartë të Opus Deit në Romë e dinë se kritikat e hidhura ndaj filmit të Mel Gibsonit, “Pasioni i Krishtit” në fakt ndihmuan për t’i dhënë jehonë filmit. Një deklaratë e organizatës thotë se shpreson që filmi pas redaktimeve të dalë i tillë, që të mos ofendojë besimtarët.

Fushata publike e Opus Deit, fillon që në hyrje të zyrave në Nju Jork, ku një parullë i fton lexuesit e novelës së Dan Brownit, që të mësojnë të vërtetën rreth Opus Deit. Shumë vizitorë tek zyrat qendrore të Opus Deit besojnë se libri është më afër realitetit sesa trillimeve.

Një pjesë tjetër e punës së Opus Deit është të njohë publikun me njeriun real që në libër identifikohet me personazhin Silas. Silas Agbim është i lindur në Nigeri dhe punon si financier në Nju Jork. Ai thotë se është krejt ndryshe nga karakteri që përshkruan libri i quajtur Silas. “Siç e shikoni nuk jam albino, krejt pa ngjyrë siç thotë libri. Nuk jam murg dhe nuk jetoj në zyrat kryesore të Opus Deit. Jam i martuar dhe kam fëmijë. Nuk dubloj njeri dhe nuk vras njerëz natën sipas urdhërave siç thuhet në libër.

Filmi me aktor kryesor Tom Hanks pritet të korrë një sukses të veçantë. Kisha katolike po mundohet t’i kundërvihet me prodhimet e veta. I themeluar në Spanjë dhe tani me 86 qendra në mbarë botën, grupi Opus Dei ka prodhuar një dokumentar të shkurtër përmes të cilit hidhet dritë rreth të mirave dhe ndjenjave shpirtërore që e karakterizojnë grupin. Gjithashtu Opus Dei ka arritur një kontratë me të njëjtën shtëpi botuese që nxori “Kodin e Da Vinçit” dhe do të publikojë dhjetë ditë para filmit librin “The Way” “Rruga” një koleksion mendimesh shpirtërore nga themeluesi i Opus Deit, Josemaria Escriva.

Por problemet me imazhin e grupit nuk filluan me librin e Dan Brownit edhe mesa duket nuk do të mbrajonë me filmin e Ron Howardit. Organizata ka qënë e debatueshme që nga themelimi i saj në vitin 1928. Një çështje e Opus Dei është edhe fshehtësia. Rezistenca historike e Opus Deit për të mos treguar anëtarët, duke u lënë vendimmarrjen individëve, ka bërë që kjo organizatë shpesh të quhet edhe kult. //ad//

XS
SM
MD
LG