Lidhje

Në Shkodër, biznesi privat ndjen nevojën e bashkëpunimit me investitorët e huaj


Pas një periudhe të gjatë e të vështirë të tranzicionit të ekonomisë, biznesi privat po e ndjen gjithnjë e më shumë nevojën e bashkëpunimit me investitorët e huaj. Kryetari i Dhomës së tregtisë dhe industrisë në Shkodër, Anton Leka, tha se rajoni i Shkodrës po ofron lehtësira dhe mundësi investimi edhe për investitorët e huaj.

" Në drejtim të burimeve të punës Shkodra aktualisht, për shkak të periudhës së tranzicionit, ka 16 mijë të papunë, por që është një fuqi punëtore shumë e kualifikuar. Ndërsa në drejtim të burimeve financiare, aktualisht Shkodra ka 6 banka. Edhe dy banka të tjera po vijnë, Banka Amerikane dhe Banka Credins. Gjithashtu, interesimi i shumë investitorëve të huaj për të sjellë teknologji, kryesiht italianë por edhe të shteteve të tjera, do të sjellin edhe mjete të tjera financiare në Shkodër."- tha ai.

Pronari Grupit Italian “Filanto”, Antonio Eduardo Filograno, i cili ishte në Fabrikën “Bertoni” së bashku me një delegacion nga Italia, tha se punëtorët dhe administratorët shqiptarë janë seriozë dhe të përkushtuar . Pronari i grupit italian “Filanto” tha se me ndërmarrjet e tija, të ngritura në Shqipëri, “Filanto” është e pranishme prej 13 vitesh, duke prodhuar fillimisht 10 mijë palë këpucë në ditë dhe duke punësuar më shumë se 1500 punëtorë.

Zoti Filograno tha se në Shqipëri ka gjetur bashkpunëtorë seriozë dhe korrektë, me kërkesa të larta profesionale, me të cilët synon të zgjerojë sipërmarrjen e tij në Shqipëri. Ndërkohë, administratori i Grupit “Filanto” për Shqipërinë, pronari i fabrikës “Bertoni”, Paulin Radovani, tha se bashkëpunimi me investitorët e huaj, jo vetëm që garanton tregun e prodhimeve shqiptare, por edhe aftëson fuqinë punëtore.

"Aktualisht, këtu punojnë pesë të huaj për të kualifikuar punëtorët tanë dhe për të përvetësuar prodhimet e reja. Garantoj me hy nëpër tregje të tilla, që nuk është menduar ndonjëherë me hy shqiptarët. Konkretisht, jam futur në tregun amerikan me kompanitë më të mëdha amerikane siç janë Klark dhe Bass. Aktualisht po prodhoj për ta, me shtampën “Made in Albania"

Në të njejtën kohë, bashkëpunimi i kapitalit vendas me kapitalin e huaj, është edhe për vendin një përfitim i madh sepse inkurajon investitorët e tjerë vendas. Bashkimi, kohët e fundit, i dy fabrikave të Filantos, në Tiranë dhe në Shijak, me Fabrikën “Bertoni” të Shkodrës, kanë krijuar Grupin më të madh industrial në Shqipëri, me mbi 3 mijë punëtorë, duke prodhuar për tregun e huaj më shumë se 12 mijë palë këpucë në ditë.

XS
SM
MD
LG