Lidhje

Autoritetet irakiane zgjasin afatin e ndalimqarkullimit gjatë ditës në Bagdad dhe krahinat përreth


Autoritetet irakiane zgjatën deri të shtunën në mbrëmje afatin e ndalimqarkullimit gjatë ditës në Bagdad dhe krahinat përreth, në përpjekje për të ulur tensionet sektrare që shpërthyen këtë javë në trazira të dhunshme në shkallë të gjerë.

Përveç kryeqytetit, ndalimqarkullimi do të vazhdojë edhe në krahinat Dijala, Babil dhe Salahedin.

Duket se ndalimqarkullimi i shpallur të premten ka ndaluar pjesën më të madhe të dhunës që shpërtheu dy ditë më parë, pasi shpërthimi i bombava në Samarra shkatërroi kupenë e artë të njërës prej faltoreve më të shenjta shiite. Të paktën 130 vetë kanë mbetur të vrarë në sulmet hakmarrëse.

Përkrahësit e klerikut radikal shiit, Moktada al-Sadër, u takuan dje me anëtarët e organizatës kryesore klerikale suni, Shoqata e Dijetarëve Myslimanë, për diskutime rreth një të ashtuquajturi akt nderi që do të ndalonte vrasjet midis irakianëve.

Kleriku u bëri thirrje besimtarëve në lutjet e së premtes që të tregojnë përmbajtje. Në të njëjtën kohë, ai dënoi çdo mysliman që sulmon një mysliman tjetër, duke thënë se një sulmues i tillë nuk është mysliman i vërtetë.

XS
SM
MD
LG