Lidhje

Përfaqësuesit e pakicave në Kosovë bisedojnë për Kosovën e së ardhmes

  • Linda Karadaku-Ndou
  • Prishtinë

Përfaqësues të serbëve të Kosovës të zhvendosur në Serbi, po vizitojnë pjesë të ndryshme të Kosovës për të parë vetë gjendjen dhe për të informuar serbët e zhvendosur në Serbi. Ata u takuan sot me ministrin e pushtetit lokal Lutfi Haziri, i cili u ka premtuar mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës për kthimin e të qëndrueshme dhe për krijimin e një jete normale në Kosovë. Po sot, përfaqësues të pakicave jo-serbe zhvilluan konsultime brenda Këshillit Konsultativ për Pakicat, në lidhje me kërkesat që kanë për statusin e bashkësive të tyre në Kosovën e së ardhmes.

Ministri i pushtetit lokal në Kosovë, njëkohësisht kryesues i delegacionit të Kosovës në bisedimet e drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e reformës në pushtetin lokal, Lutfi Haziri, u takua sot në Prishtinë me përfaqësues të serbëve të Kosovës të zhvendosur në Serbi.

Zllatko Mavric, përfaqësues i Shoqatës qytetare të të zhvendosurve nga Kosova, Shpëtimi i Shenjtë, tha se përfaqësuesit e të zhvendosurve serbë nga Kosova kanë vizituar disa vende në Kosovë dhe kanë bërë atë që e quajnë matje pulsi të të zhvendosurve dhe atyre që nuk i kanë lënë shtëpitë e veta, për të parë cilat janë problemet, shqetësimet dhe mendimet e tyre në lidhje me zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Raundi i parë ka përfunduar, mendojmë se është ende herët të nxirret ndonjë përfundim, por sidoqetë jetë, mirë është që delegacionet janë ulur në të njëjtën tavolinë, ndërsa detyra jone e vetme është t'i informojnë të zhvendosurit në mënyrë të besueshme, në lidhje me gjendjen në Kosovë."- tha ai.

24 autobuzë me serbë të Kosovës kanë ardhur sot për të vizituar varrezat e më të dashurve të tyre në gjithë Kosovën, dhe sipas informacioneve, gjithcka po shkon sipas planit, pa probleme të mëdha, që do të thotë se edhe komuniteti shqiptar, ish-fqinjët, kanë pranuar që fqinjët të vijnë dhe të vizitojnë më të dashurit e tyre.

"Shpresojmë se me anë të bisedimeve, do të mundësohet kthimi i të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen”, tha zoti Mavric.

Ministri Haziri theksoi se ishte biseduar për bashkërendimin e punës për kthimin e të zhvendosurve.

"Kthimi për ne është oblikim, është përgjegjesi e institucioneve tona, për të krijuar kushte që të gjithe të zhvendosurit e konfliktit të kthehen në shtëpitë etyre"- tha ai.

Çështja e kërkesave dhe të drejtave të pakicave u trajtua sot edhe në një takim që pati Këshilli Konsultativ për Pakicat, në të cilin merrte pjesë edhe ministri Haziri. Sabit Rrahmani, përfaqësues i ashkalinjve të Kosovës, tha se komunitetet pakicë jo serbe janë unike në qëndrimin e tyre.

Përfaqësuesi i egjiptasve të Kosovës, Xhevdet Neziri, theksoi mbështetjen për përfaqësimin e këtyre pakicave në Vjenë nga ministri Haziri.

"I mbështesim të gjitha përpjekjet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe jemi të mendimit se ai duhet të jete pavarësia"- tha ai.

Numan Baliq, përfaqësues boshnjak tha se bisedimet e sotme kishin qenë konstruktive. Ndërsa Sadik Idriz, minister i shendetsise, anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet e drejtpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit për cështjen e reformës në pushtetin lokal, tha se takimi kishte qenë konsultativ.

Kryetari i Këshillit Konsultativ për Pakicat dhe njëkohësisht anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet për statusin, Veton Surroi, tha se konsultimet e sotme ishin bazuar në dy pika thelbësore, në informimin lidhur me bisedimet për decentralizimin dhe përgjigja që duhet t’i jepet kryenegociatorit Ahtisari në lidhje me kërkesat e pakicave.

"Ne shpresojmë se brenda një afati 4-6 javësh do të kemi një dokument të kompletuar që ka të bëjë me pakicat" the zoti Surroi

Respektimi dhe garantimi i të drejtave të pakicave në Kosovë, është çështje kyçe në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG