Lidhje

Irak: Klerikë të lartë suni dhe shiitë bisedojnë për t'i dhënë fund dhunës


Klerikë të lartë suni dhe shiitë në Irak u takuan sot në Bagdat për të diskutuar dhunën sektare që ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra vetëve në Irak. Dhuna shpërtheu pas sulmit të së mërkurës ndaj Xhamisë së Artë shiite në Samara.

Politikanët suni të cilët kishin bojkotuar negociatat për formimin e qeverisë së re morën pjesë në takimin, i cili u zhvillua pas një sërë telefonatash që u bëri Presidenti Bush udhëheqësve të lartë politikë irakianë. Presidenti bëri thirrje për bashkëpunim që të vendoset qetësia.

Më parë, përfaqësues të klerikut shiit Moktada al Sadr u takuan në Bagdat me anëtarë të organizatave fetare suni më me influencë. Në këtë takim ata u zotuan të ndalin sulmet ndaj xhamive.

Dhuna ka vazhduar pavarësisht nga vendosja e ndalim-qarkullimit në Bagdat dhe rrethina. Zyrtarët thonë se persona të armatosur sulmuan banesën e një familjeje shiite pranë Bakubës, duke lënë të vrarë 12 persona. Po në kryeqytetin e vendit, persona të armatosur hapën zjarr ndaj një procesioni që po shoqëronte arkivolin e një gazetareje të njohur arabe të televizionit Al Arabija.//lk

XS
SM
MD
LG