Lidhje

Ndikimi i luftër kundër terrorizmit në pozitat e Partisë Republikane në SHBA


Presidenti Bush vazhdon përpjekjet e tij për të siguruar mbështetje brenda vendit për ndërhyrjen e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe luftën kundër terrorizmit në përgjithësi. Por ndërsa afrohen zgjedhjet e nëntorit për Kongresin, anëtarët e partisë demokrate të opozitës vazhdojnë të kritikojnë mënyrën sesi po e drejton Presidenti çështjen e Irakut dhe luftën ndaj terrorizmit.

Përpjekjet e Presidentit për të siguruar mbështetje publike për gjendjen në Irak dhe luftën kundër terrorizmit në përgjithësi filluan në fund të vitit 2005 në klimën e anketave të opinionit publik që tregonin rënien e mbështetjes së publikut për trajtimin e të dyja çështjeve.

Ditët e fundit, Presidenti Bush mbajti një qëndrim të fortë ndërsa përshkruante një nga parimet që udhëheqin presidencën e tij: “Më 11 shtatori 2001, ne pamë se oqeanet dhe distancat e mëdha nuk mund të na mbajnë të sigurt. Atë ditë unë mora vendimin se Amerika nuk do të presë të sulmohet përsëri,” tha Presidenti.

Demokratët e opozitës nuk janë të gjithë në një mendje për atë që duhet bërë në Irak. Njëri grup ku bën pjesë edhe udhëheqësja e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi është në favor të tërheqjes së trupave amerikane gjatë muajve të ardhshëm. Por shumë demokratë në Kongres besojnë se forcave amerikane do t’u duhet të qëndrojnë atje për një kohë shumë më të gjatë për të sjellë stabilitet në Irak.

Ndërkohë shumë demokratë kanë kritikuar gjithë strategjinë e presidentit për luftën kundër terrorizmit. Senatori demokrat Xhozef Bajden është anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai foli në programin This Week të televizionit ABC. “Presidenti mbajti një fjalim para katër vjetësh për boshtin e së keqes. Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë zoti President? Koreja ka katërfishin e aftësive bërthamore që ka pasur. Irani është gati për t’i zhvilluar ato. Iraku është në një farë mënyrë në kaos dhe ndikimi i Iranit po rritet. Komisioni i 11 shtatorit ka thënë se nuk janë marrë masat për mbrojtjen e porteve tona, rrugëve, autostradave dhe korridore ajrore,” tha senatori.

Përkrahësit republikanë të presidentit e vënë theksin tek fakti që nuk ka pasur sulme të tjera në Shtetet e Bashkuara që pas atyre të 11 shtatorit në New York, Washington dhe Pensilvani. Presidenti Bush thotë se lufta kundër terrorizmit ka sjellë sukses në goditjet kundër al-Kaidës. Por në të njëjtën kohë ai thotë se kjo nuk është arsye për të rënë në vetëkënaqësi. “Ne nuk mund të lejojmë që fakti që nuk ka patur sulme në Amerikë që pas 11 shtatorit, të na krijojë iluzionin se nuk ka më kërcënime ndaj vendit tonë, sepse nuk është ashtu,” thotë Presidenti Bush.

Eskpertët politikë besojnë se presidenti po vepron drejtë që vazhdon përpjekjet për të siguruar mbështetje si për Irakun, ashtu edhe për luftën kundër terrorizmit. Emi Uolter është redaktore në një revistë të pavarur “The cook Political Report”, që analizon politikën amerikane. “Republikanët dhe Presidenti vazhdojnë të gëzojnë mbështetjen e votuesve në këtë çështje. Në fakt nëse u hedh një vështrim gjithë çështjeve për të cilat janë të interesuar votuesit, terrorizmi është në fakt e vetmja çështje ku republikanët janë në avantazh ndaj demokratëve,” thotë zonja Uolter.

Republikanët janë inkurajuar nga një rritje e lehtë e popullaritetit të Presidentit që kur ai filloi serinë e fjalimeve për të siguruar mbështetjen për Irakun dhe luftën kundër terrorizmit. Por demokratët besojnë se kanë një shans që të fitojnë në zgjedhjet e nëntorit duke thënë se republikanët do të ndërmarrin një qëndrim mbrojtës për Irakun dhe çështje të brendshme si ekonomia, kostoja në rritje e kujdesit shëndetësor dhe një skandal për korrupsion në Kongres, lidhur me lobistin e fuqishëm republikan Jack Abramoff.

Zonja Uolter është dakord me një gjë të tillë. “Këto janë zgjedhjet e para për Kongresit që kanë shenjat tradicionale të ndryshimit, si një referendum,” thotë analistja. Në zgjedhjet e nëntorit do të votohet për një të tretën e anëtarëve të senatit dhe 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. //ad//

XS
SM
MD
LG