Lidhje

Në gjurmët e Aleksis de Tokvilit


Në fillim të shekullit të 19-të, francezi Aleksis de Tokvil vizitoi Amerikën dhe shkroi një libër për demokracinë, shoqërinë dhe praktikat e popullit amerikan. Që atëherë, shumë libra janë shkruar për Shtetet e Bashkuara, megjithatë libri “Demokracia në Amerikë” e shkrimtarit Tokvil mbetet një nga më të respektuarit. Në vazhdim u hedhim një vështrim vlerësimeve sesa qëndrojnë mendimet e këtij francezi pas 170 vjetësh.

Aleksis de Tokvil erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1831 për të studiuar sistemin e burgjeve. Por, i tërhequr nga ideja e demokracisë amerikane, ai udhëtoi në gjithë vendin për nëntë muaj me radhë për të parë se si demokracia ndikonte në ekonominë, shoqërinë dhe karakterin e Amerikës.

Shumica e analistëve pajtohen se vlerësimi i zotit Tokvil mbetet një nga më të saktët. Peter Louler, profesor i shkencave politike në kolegjin Berry në Xhorxhia, thotë se Amerika vazhdon të jetë kryesisht një vend me një klasë të mesme që punon shumë ashtu siç ishte edhe në shekullin e 19-të. “Të gjithë duhet të punojnë. Në aristokraci disa njerëz janë mbi paratë dhe shumica janë poshtë tyre. Në Amerikë, të gjithëve u interesojnë paratë. E mira është se ne bëhemi të pasur. Kur të gjithë punojnë, ne mund të kemi një vend me një përparim të pakrahasueshëm,” thotë zoti Louler.

I ardhur nga një familje fisnikësh që nuk i kishte punët mirë me mbretin francez, zotit Tokvil iu duk sistemi amerikan i demokracisë më i drejtë se monarkia. Profesor Louler thotë se Alexis de Tokvil e kishte parashikuar saktë se vetqeverisja popullore do të ishte vala e së ardhmes.

Demokracia, thotë profesor Louler, është e bazuar në meritokraci dhe punë, çka është shumë më tepër se trashëgimia e aristokracisë. Megjithatë, ky vëzhgues i shekullit të 19-të zbuloi edhe disa të meta të sistemit. Ai vuri re se shoqëria demokratike nuk ka shumë respekt për artin, muzikën dhe filozofinë më të shkëlqyer. Ai paralajmëroi se demokracia mund të kthehet në një diktaturë të masave ku individët të mos jenë në gjendje të kenë një mendim të kundërt me shumicën. Profesor Louler thotë se historia ka provuar që kjo nuk është e vërtetë.

Megjithatë, disa ktitikë thonë se diktatura e masave duket qartë sot në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore amerikane. Filozofi francez, Bernard Henri Levi, thotë: “Kur shkon për shembull në një nga qendrat e dyqaneve në Mineapolis, një ndërtesë gjigande me një lloj jete fallso brenda saj, me një shije të njëjtë si kudo tjetër, me disa rregulla dhe me një mentalitet kopeje, e gjithë kjo duket si tirani moderne e shumicës.”

Bernard Henri Levi kritikon gjithashtu atë që ai e sheh si mungesë të mendimit të pavarur kritik mes përkrahësve të dy partive më të mëdha politike amerikane, demokratëve dhe republikanëve. Ai thotë se amerikanët kanë prirjen të përqafojnë gjithë programin politik të një partie, pavarësisht se mund të mos pajtohen me të gjithë platformën e saj.

Uilliam Kristol, redaktor i revistës politike The Weekly Standard dhe ish pjesëtar i disa administratave republikane thotë se përkrahja e një partie nuk do të thotë mungesë e mendimit kritik në Amerikë. Ai dhe analistën të tjerë vënë në dukje se në nivelin lokal dhe shtetëror, amerikanë përkrahin kandidatët për idetë e tyre, pavarësisht se cilës parti u përkasin.

Aleksis de Tokvil shkruante se aspekti fetar i kishte bërë përshtypje gjatë vizitës së tij në Amerikë. Por, filozofi Bernard Henri Levi thotë se feja ka hyrë pa dashur edhe në jetën publike dhe private amerikane. Si shembull Levi sjell debatin rreth mësimit të teorisë së projektit inteligjent në shkolla, e cila sugjeron se jeta është krijuar nga një qënie e mbinatyrshme.

Megjithëse anketat tregojnë se 90 përqind e amerikanëve besojnë në Zot, Peter Lauler thotë se Shtetet e Bashkuara janë më laike seç kanë qenë në shekullin e 19-të. Ai thotë se vullneti për të vënë në pikëpyetje një teori shkencore tregon shpirtin e lirë të mendimit amerikan. //ad//

XS
SM
MD
LG