Lidhje

Banorët e Nju Orleansit festojnë Mardi Granë, festën tradicionale të karnavaleve


Në Nju Orleans, pesë muaj pas shkatërrimeve të Uraganit Katrina, qyteti ka filluar festimet me rastin e Mardi Grasë, e marta e fundit para Pashkëve katolike, kur besimtarëve u lejohet të hanë ç’të dëshirojnë, para se të fillojnë agjërimin për Pashkët. Festimet e Mardi Grasë janë një traditë 150-vjeçare në New Orleans, një qytet me një popullsi të konsiderueshme katolike. Ka nga ata që i shohin si pavend festimet me parada, këngë e vallëzime në një kohë që qyteti është në një gjendje kaq të mjerueshme, por shumë banorë e konsiderojnë këtë ritual – një element të rëndësishëm në procesin e rimëkëmbjes.

Dëfrimet kanë filluar përsëri në qendër të qytetit Nju Orleans, megjithëse këtë vit janë organizuar më pak parada dhe kanë ardhur më pak spektatorë se vitet e mëparshme. Megjithëse më shumë se gjysma e banorëve të qytetit nuk janë rikthyer për të filluar jetën pas uraganit Katrina, pjesa më e madhe e atyre që janë në New Orleans aktualisht, thonë se festimet e Mardi Grasë i japin qytetit një forcë morale shumë të nevojshme.

Mike Valentino, pronar hoteli në qytet, është ndër drejtuesit e bizneseve lokale të cilët janë angazhuar në përgatitjet për festim: "Kjo traditë është pjesë e jona. Është shumë e rëndësishme t’i vazhdojmë festimet, pasi kjo do të ndihmojë personat e zhvendosur të kthehen më shpejt, sepse do të ndihmojë ekonominë dhe do të nxisë rimëkëmbjen."

Kritikat ndaj planeve për të organizuar festimet e Mardi Grasë pjesërisht lidhen me perceptimin se kjo traditë nuk është tjetër veçse festime të shthurura, kur njerëzit pinë shumë dhe humbin kontrollin.

Por Mike Valentino thotë se zakonisht turistët vijnë për këtë qëllim, ndërsa banorët e konsiderojnë krejt ndryshe Mardi Granë: "Në rrënjët e kësaj tradite është një rit fetar, i cili ka në qendër familjen, komunitetin, lidhjet shoqërore që shfaqen përmes organizimit të paradave me kostume. Kjo traditë është pjesë e identitetit tonë."

Faktikisht, fëmijët janë një pjesë e madhe e turmave që ndjekin paradat. Jeannie Rivers ka ardhur për të parë festimet me të atin dhe vajzën e saj 3 vjeçare, Abigail: "Ne e konsiderojmë si traditë familjare. Mblidhemi të gjithë, unë me motrat e vëllezërit, babai, im shoq dhe vajza ime 3-vjeçare. E kam sjellë këtu që kur ishte 3 muajshe. Pas Krishtlindjeve filloi të pyeste ‘Kur do të festojmë Mardi Granë?’ Pra që pas festimeve të Krishtlindjes, ajo përgatitet shpirtërisht për Mardi Granë."

Një pjesë e argëtimit për shikuesit është momenti kur hidhen rruazat nga makinat në paradë dhe të gjithë përpiqen t’i kapin. Njerëzit i marrin rruazat në shtëpi si kujtim i argëtimit që sjell Mardi Gra, në pritje për vitin e ardhshëm kur festimet të fillojnë sërish.

XS
SM
MD
LG