Lidhje

Bosnje-Hercegovina kërkon drejtësi nga Haga për gjenocidin serb gjatë kofliktit ballkanik


Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësinë me seli në Hagë, filloi procesin e dëgjimit të dëshmive për rastin e parë për gjenocid, që del para saj. Dëshmitë pritet të zgjasin për dy muaj. Bosnje Hercegovina e ka hedhur Serbinë dhe Malin e Zi në gjyq, duke e akuzuar për gjenocid gjatë luftrave ballkanike në vitet ’90 dhe ka kërkuar dëmshpërblime.

Duke thënë se po fliste në emër të viktimave të Bosnjes Hercegovinës, përfaqësuesi boshnjak, Sakib Softiç, tha para gjykatësve se dhuna që përfshiu vendin e tij, siç u shpreh ai, ishte si një cunam i përgatitur nga dora njerëzore, që shkatërroi vetë karakterin e Bosnje Hercegovinës, së bashku me një pjesë të madhe të popullsisë së saj jo-serbe: “Ne jemi sot këtu se autoritetet e Beogradit, me dijeni të plotë, i çuan banorët jo-serbë të Bosnje Hercegovinës në rrugën drejt skëterrës. Një rrugë e mbushur me trupa të vrarë, me familje të shkatërruara, me jetë të reja të humbura”, tha përfaqësuesi.

Ndërsa zoti Softiç po paraqiste argumentet e tij, jashtë sallës, dhjetra protestues po lexonin emrat e viktimave të masakrës së vitit 1995 në Srebrenicë, qytet, në atë kohë, i shpallur zonë e mbrojtur nga OKB-ja. Shumë prej tyre ishin nga Bosnja, ashtu si 20 vjeçarja, Medina Aliç. Ajo humbi pothuajsve gjithë të afërmit meshkuj në Srebrenicë dhe kërkon që gjykata botërore të mbajë Beogradin përgjegjës: “Shpresoj që njerëzit të gjejnë paqe, ndonëse ajo nuk mund t’i ngjallë familjarët e vrarë.” Dëshmitë e sotme janë kulmi i një përpjekje ligjore 13 vjeçare. Bosnja akuzon Serbinë për përpjekje për të penguar procesin në mënyrë që vendimi të mos merret asnjëherë. Kur Bosnja paraqiti akt-padinë fillestare, ajo drejtohej kundër ish Jugosllavisë, lufta ishte ende duke vazhduar dhe masakra e Srebrenicës nuk kishte ndodhur ende.

Sarajeva i kërkoi gjykatës që t’i jepte urdhër Beogradit të ndalonte dhunën dhe ta dënonte Serbinë për pastrim etnik dhe gjenocid. Po ashtu në akt-padi kërkoheshin dëmshpërblime. Një gjykatë tjetër ndërkombëtare, Gjykata për Krimet e Luftës në Hagë, ka thënë se rasti i Srebrenicës përbën gjenocid. Ndërsa deri më sot ka patur udhëheqës poltike dhe ushtarakë të dënuar për gjenocid, kjo është hera e parë, që një shtet gjykohet për këtë krim. Por që të jenë të suksesshëm, avokatët e Sarajevës duhet të bindin gjykatën se Serbia kishte si synim shkatërrimin e popullsisë myslimane të Bosnjes, gjë që nuk pritet të jetë e lehtë të bëhet. //rd//

XS
SM
MD
LG