Lidhje

Presidenti Bush takohet me kryeministrin italian Berluskoni


Presidenti Bush u takua në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin italian Silvio Berlusconi. Presidenti Bush tha se të dy udhëheqësit diskutuan për luftën kundër terrorizmit, çështjen e Iranit, rolin e NATO-s në Afganistan dhe nevojën që aleatët e Shteteteve të Bashkuara të mbështesin demokracinë në Irak. Ai vlerësoi zotin Berlusconi, duke e cilësuar si një udhëheqës të vendosur dhe një burrë që i mban premtimet.

Kryeministri Berlusconi tha se ai do t’i respektojë planet për tërheqjen e të 3 mijë trupave italiane nga Iraku deri në fund të vitit. Ai gjendet përballë një sfide të vështirë në zgjedhjet e prillit nga rivali i tij i qendrës së majtë, Romano Prodi. Publiku italian nuk ka qenë dakord me mbështetjen e fortë të zotit Berlusconi ndaj luftës në Irak.

Nesër kryeministri italian pritet të flasë para Kongresit amerikan dhe më pas do të shkojë në Nju Jork. Pas takimit me kryeministrin Berlusconi, Presidenti Bush tha se Iraku duhet të zgjedhë mes unitetit dhe kaosit, pas dhunës sektare, si pasojë e së cilës kanë gjetur vdekjen qindra njerëz që pas sulmit të javës së kaluar në një xhami shiite.

Presidenti Bush thotë se terroristët po përpiqen të hedhin rrënjët e dhunës sektare në Irak me shpresën për të shkatërruar shanset për një qeveri të unitetit kombëtar. “Është koha që populli i Irakut dhe udhëheqësit e tij të zgjedhin mes kaosit dhe unitetit, të zgjedhin mes një shoqërie të lirë dhe një shoqërie të diktuar nga njerëz djallëzorë që vrasin të pafajshëm”, tha zoti Bush.

Presidenti dënoi përsëri sulmin ndaj xhamisë shiite të Samarrës që shkaktoi një valë vrasjesh. Presidenti Bush i dënoi sulmet ndaj çdo objekti të shenjtë, duke thënë se të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të praktikojnë lirisht besimin e tyre. Në klimën e shqetësimeve se dhuna sektare po e çon Irakun drejt luftës civile, Presidenti Bush tha se ka folur me shtatë udhëheqës politikë irakianë ditët e fundit dhe të gjithë e kuptojnë se sa serioze është gjendja. Ai tha se këta politikanë kanë zgjedhur rrugën e përpjekjeve për një qeveri uniteti, duke sfiduar terroristët, ashtu sikurse qytetarët irakianë zgjodhën demokracinë në votimet e dhjetorit.

Presidenti foli para gazetarëve pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin Berlusconi, të cilin e falenderoi për mbështetjen e Italisë në Afganistan dhe në Irak.

Kryeministri italian tha se do t’i respektojë planet për të tërhequr të gjitha trupat italiane nga Iraku gjatë 10 muajve të ardhshëm. “Ne kemi një plan për tërheqje graduale të trupave tona që duhet të përfundojë nga fundi i këtij viti. Dhe për këtë plan është rënë dakord edhe me aleatët tanë dhe me qeverinë irakiane”. Pas takimit me kryeministrin Berlusconi, Presidenti Bush u nis për një udhëtim pesë-ditor për në Indi dhe Pakistan. //rd//

XS
SM
MD
LG