Lidhje

Ahtisari: ka rëndësi që bisedimet të ecin me shpejtësi në fazat e para


Martti Ahtisaari, kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e ardhshëm të Kosovës, thotë se bisedimet teknike midis Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës kanë filluar mirë.

Në komentet e bëra për gazetarët, zoti Ahtisaari tha se ka rëndësi që bisedimet të ecin me shpejtësi në fazat e para. Në Beograd, Ahtisaari u takua me Presidentin, kryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Serbisë si dhe me ambasadorë të vendeve islamike.

"U thashë udhëheqësve se bisedimet për decentralizimin të mbajtura në Vjenë javën e kaluar ishin një fillim i mirë. Gjithashtu u bëra thirrje atyre që të jenë vazhdimisht të angazhuar."

Ahtisaari, ish president i Finlandës dhe negociator ndërkombëtar me përvojë, nuk la asnjë dyshim se bisedimet do të bëhen më të vështira me kalimin e kohës. Serbia dhe shqiptarët e Kosovës kanë paraqitur kërkesat e tyre të fillimit, siç i quan zoti Ahtisaari, kërkesa që janë diametralisht të kundërta dhe duket se ekziston një bazë shumë e vogël për kompromis lidhur me çështjen më të rëndësishme që është pavarësia e Kosovës.

Bisedimet e javës së shkuar ishin të parat negociata të drejtpërdrejta midis dy palëve. Ahtisaari tha se të dyja palët treguan pak gatishmëri për kompromis.

"Me fjalë të tjera, ky ishte fillimi i procesit, pra duke u marrë me çështje praktike, të cilat do t’i quaja çështje që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me statusin. Përveç decentralizimit, ne do të vazhdojmë diskutimet paralele rreth trashëgimisë kulturore, të drejtat e pakicave dhe çështjet ekonomike."

Zoti Ahtisaari tha se është shumë i shqetësuar rreth statusit të pakicës joshqiptare të Kosovës. Raundi tjetër i bisedimeve, tha ai, do të mbahet në Vjenë më 17 mars. Ai shpreson se negociatat mbi statusin e Kosovës do të përfundojnë brenda fundit të këtij viti.

Një grup kontakti prej pesë vendesh perëndimore plus Rusinë, ka lënë të kuptohet se rezultati i bisedimeve do të jetë një formë pavarësie. James Lyon, përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd, ka pak dyshime se Kosova do të bëhet e pavarur.

"Duke gjykuar nga deklaratat e Grupit të Kontaktit, duket se ky grup është me idenë se në një farë stadi, Kosovës do t’i duhet të mbajë një referendum të qytetarëve të saj dhe do të jenë ata vetë që do të vendosin. Duke qenë se 90 përqind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, mendoj se rezultati i referendumit do të jetë i lehtë të parashikohet."

Ahtisaari e vazhdon turneun e tij në Prishtinë dhe prej andje do të shkojë në Nju Jork dhe Uashington për konsultime.//ii

XS
SM
MD
LG