Lidhje

Daniloviç: Shqipëria ka treguar shenja përmirësimi, por jo të mjaftueshme për ndihmë të plotë nga Sfida e Mijëvjeçarit


Zyrtarët amerikanë thonë se presin të nënshkruajnë me Shqipërinë marrëveshjen që e kualifikon atë për ndihma në bazë të së ashtuquajturës Llogari e Sfidës së Mijëvjeçarit, një program i qeverisë amerikane për të luftuar varfërinë në vende të ndryshme të botës. John Daniloviç, shef ekzekutiv i Korporatës Llogaria e Mijëvjeçarit, e cila merret me administrimin e këtyre ndihmave, i tha Zërit të Amerikës se Bordi i Korporatës ka rënë dakord me një propozim të qeverisë shqiptare për luftën kundër korrupsionit prandaj ka vendosur ta mbështesë atë.

Nga zyra e tij në qendër të Uashingtonit, John Daniloviç, ish-ambasador dhe biznesmen, kontrollon një operacion botëror ndihmash që kapin rreth 3 miliard dollarë në vit. Në bordin e Korporatës bëjnë pjesë zyrtarë të tillë me influencë si Sekretarja e Shtetit Condoliza Rajs dhe sekretari i thesarit Xhon Snou. Dhe kjo nuk është e rastit. Siç shpjegon ambasadori Daniloviç, Korporata Sfida e Mijëvjeçarit ka një mision të veçantë në strukturën e komplikuar të ndihmave që ofron qeveria amerikane për vendet e tjera:

“Ne përpiqemi të koordinojmë strukturën e ndihmave që japim si qeveri amerikane. Korporata i është përkushtuar zbutjes së varfërisë përmes rritjes ekonomike. Kjë është një nismë e ndërmarrë para dy vjetësh nga Presidenti Bush dhe përpiqet të ndihmojë ato vende të cilat provojnë se qeverisin me drejtësi, kanë liri ekonomike dhe investojnë tek populli i tyre. Mbi këtë bazë, Korporata u jep atyre një grant, pra jo kredi, për zbutjen e varfërisë. Varfëria është jo vetëm burim i një mjerimi të madh njerëzor, por edhe burim i një paqendrueshmërie politike dhe sociale. Nëse e zbutim varfërinë me anë të rritjes ekonomike, atëhere mund të arrijmë qendrueshmëri politike dhe ekonomike jo vetëm për vendin që merr grantin por edhe për rajonin ku ndodhet ai vend.”

Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit e ka miratuar Shqipërinë si vend pragu për sfidën e mijëvjeçarit, që i siguron asaj një ndihmë prej rreth 14 milion dollarësh, për luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit. Zoti Daniloviç i shpjegon kështu arësyet:

“Shqipëria ka treguar shenja shumë të mira se po ecën në rrugën e duhur por disa nga treguesit janë disi të dobët, jo në standardet ku duhet të jenë për t’u kualifikuar për ndihmë të plotë. Klasifikimi i saj si vend pragu për programin Sfida e Mijëvjeçarit, nënkupton se Shqipëria i ka mundësitë që t’i përmirësojë këta tregues dhe të kualifikohet në të ardhmen për përfitime të plota.

Pyetjes se, a mos ka rrezik që duke hyrë në një program të tillë ndihmash Shqipëria të perceptohet si një vend me varfëri ekstreme, e krahasueshme me vende të tilla afrikane si Benini apo Burkina Faso, zoti Daniloviç iu përgjigj:

“Treguesit bazohen mbi vetë të dhënat e vendeve që ne zgjedhim. Bazohen në raportet e Bankës Botërore për vendet me të ardhura të ulta. Nuk do të thotë se janë vende të përfshira në varfëri të thellë por vende me të ardhura më të ulta për frymë dhe Shqipëria është në këtë kategori. Si e tillë dhe si një vend i ri demokratik me të ardhura të ulta, ne jemi treguar të gatshëm që ta përfshijmë atë në rrugën e ripërtëritjes ekonomike.”

Shqipëria ka të ardhura vjetore për frymë prej 1,700 dollarë, një shifër relativisht e lartë kjo krahasuar me vendet e tjera që kanë kërkuar ndihmë nga Llogaria e Mijëvjeçarit. Zoti Daniloviç thotë se Bordi i Korporatës ra dakord me një propozim të qeverisë shqiptare për luftën kundër korrupsionit dhe vendosi ta mbështesë atë.

“Qeveria e re ka bërë premtime të fuqishme për zbutjen e varfërisë si dhe për eliminimin e korrupsionit në të gjithë sektorët qeveritarë dhe mbi këtë bazë ajo na paraqiti një propozim të cilin ne e miratuam. Propozimi ka lidhje konkretisht me çrrënjosjen e korrupsionit, jo vetëm në prokurimet qeveritare por edhe në vjeljen e taksave dhe në regjistrimin e bizneseve të reja. Ky është një program i gjerë për luftën kundër korrupsionit dhe ne dëshirojmë ta mbështesim atë me shpresën se do të bëhet përparim.”

Zoti Daniloviç thotë se do të varet nga Shqipëria nëse ajo do të bëhet vend me përfitime të plota nga Sfida e Mijëvjeçarit, pra nga vend i pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit të arrijë të nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare me Korporatën.

“Ky është një program novator ndihmash në kuptimin që ajo jepet e shoqëruar me përgjegjshmëri. Pra, përgjegjshmëri nga ana ime përpara taksapaguesve amerikanë por edhe nga ana e vendit që merr ndihmën, konkretisht Shqipëria, domethënë që ajo të tregohet e përgjegjëshme në veprimet e saj, duke investuar në favor të popullit të saj, duke favorizuar lirinë ekonomike dhe duke qeverisur me drejtësi. Në rast se ajo tregohet e përgjegjshme në këto aspekte, atëhere ne me kënaqësi do t’i ofronim asaj një grant për të inkurajuar zbatimin e këtyre reformave.”

John Daniloviç thotë se qëllimi i Korporatës është që pas një farë kohe ajo të bëhet e panevojshme për Shqipërinë dhe të largohet prej andej, përndryshe, shpjegon ai, kjo do të ishte një shenjë dështimi.

XS
SM
MD
LG