Zyrtarët serbë i kanë kërkuar administratorit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të mos lejojë që një ish-komandat i UÇK-së të bëhet kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar sot, qeveria e Serbisë i bën thirrje kryeadministratorit Soren Jesen-Petersen të ndërhyjë për të penguar emërimin e zotit Agim Çeku si kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i kërkoi zotit Çeku të formojë qeverinë e re, një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi.
Agim Çeku, komandant i UÇK-së në luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes serbe në vitin 1998 dhe 1999, thotë se është i gatshëm të marrë atë post.
Beogradi e ka akuzuar zotin Çeku për krime kundër civilëve serbë gjatë konfliktit.
Beogradi dhe Prishtina janë angazhuar në procesin e negociatave të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Shqiptarët kërkojnë pavarësinë, ndërsa Serbia kërkon të ruajë kontrollin. Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara në këto bisedime, Marti Ahtisari, tha sot se funksioni i tij në këto bisedime është të punojë me udhëheqësit që janë në post.//RD//