Lidhje

Topalli: Unë kam bërë atë që kërkon një shtet ligjor

  • Intervistoi: Konda

Ditët e fundit ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli. Zonja Topalli ka ardhur për të marrë pjesë në një konferencë të organizuar në New York me pjesëmarrjen e Kryetareve të Parlamentit - gra nga vende të ndryshme të botës. Gjatë vizitës në Washigton zonja Topalli u takua me një numër ligjvënësish amerikanë dhe zyrtarë të Departmentit të Shtetit. Në një intervistë në programin tonë Ditari, zonja Topalli tha se zyrtarët amerikanë vlerësuan përpjekjet që ka bërë Shqipëria gjatë muajve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, vizita juaj këtu në Shtetet e Bashkuara, përkoi me fillimin e krizës së parlamentit. Cili ishte synimi kësaj vizite në një kohë kaq të tensionuar politike në Shqipëri?

Jozefina Topalli: Ka qenë një vizitë e parashikuar, një vizitë që ka filluar në New York dhe ka vazhduar këtu në Washington, me takime shumë të rëndësishme, në New York me një konfererëncë të spikereve të Parlamentit të Botës - Gra dhe me takimin e Zëvendëssekretares së Përgjithshme të OKB-së, një referat në Universitetin Kolumbia dhe pastaj këtu në Washington, ku kam patur takimet më të ngjeshura, më të rendesishme, të cilat unë i vleresoj shumë, si takimin me spikerin e Kongresit Amerikan, takimi në Depertamentin e Shtetit, takimi në National Security Council, takime me kongresmenë të tjerë, që kanë bërë të mundur pjesëmarrjen në komisione për çëshjet të transparencës dhe të korrupsionit, takimet me lobin e kongresmenëve që punojnë për Kosovën dhe Shqipërinë, takimi i sotëm me presidentin e NDI-së, dhe takime të tjera të shumta, të cilat unë i vlerësoj për temat që ne trajtuam, për të ardhmen e Shqipërisë në NATO, për mbështetjen që kemi gjetur kudo për reformat që po ndërmerren në Shqipëri nga qeveria e zgjedhur pas tre korrikut, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si një nga kërkesat kryesore që I vijnë vendit tone nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Evropa, për të fituar në mënyrë të merituar ftesën për të qenë pjesë e NATO-s.

Zëri i Amerikës: Në mënyrë më specifike, cilat ishin pikërisht temat gjatë këtyre takimeve me ligjvënës dhe senatorë amerikanë?

Jozefina Topalli: Përsa i takon Shqipërisë, mund të them që tema kryesore ishte ajo që për shembull kongresmeni David Rider tha se shikoj me admirim të madh kurajon, klimën e krijuar dhe reformat e jashtëzakonshme që qeveria e re ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë në këtë periudhë, në mënyrë të veçantë në problemet e vendosjes së shtetit ligjor, të respektimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne duhet të jemi të sinqertë, ne kemi një problem imazhi, që është për t’u përmirësuar, por ky imazh mund të përmirësohet në qoftë se ne ndryshojmë realitetin dhe pastaj të dyja bashkë ecin paralelisht dhe ndihmojnë për afrimin më të shpejtë të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është shumë interesant se pikërisht nga klima e re që është krijuar, nga besimi dhe nga admirimi, që siç thane, kongresmenët kanë për reformat e ndërmarra, gjejmë një mbështetje të jashtëzakonshme të administratës dhe të Shteteve të Bashkuara për të marrë sa më shpejt që të jetë e mundur ftesën për të qenë pjesë e NATO-s. Dhe besoj se këto janë refoma mjaft të domosdoshme, në mënyrë të veçantë kur flitet për finalizimin e nënshkrimit të marrëveshjes së asocim-stabilizimit në të njëjtën kohë me NATO-n.

Zëri i Amerikës: Ju dëgjuat raportin e korrespondentit tonë në Tiranë. T’u kthehemi pak zhvillimeve atje: javën e kaluar në Parlament u zhvillua votimi për mocionin e mosbesimit pikërisht për Jozefina Topallin. Në se mund ta veçonit për një moment veten tuaj nga rasti konkret, duke u nisur nga pozitat e Kryetares së Parlamentit, ose si ligjvënëse, si i shikoni ju kërkesat e socialistëve, e kam fjalën më specifikisht për kërkesën e opozitës për përsëritjen e votimit në Parlament?

Zëri i Amerikës: Edhe të shkëputur, edhe të pashkëputur, unë e shoh si një no-koment. Një sjellje që në historinë 15-vjeçare të Parlamentit shqiptar nuk ka ndodhur asnjëherë. Ka patur ngjarje kur bojkotohej Parlamenti. Nuk ka ndodhur kurrë që të bllokohej Pralamenti, edhe kur kanë ndodhur ngjarje të rënda. Në rastin në fjalë bie dakord me ju që edhe mocioni realisht, edhe sjellja, me bilbil dhe pa bilbil, pas mocionit, nuk kanë lidhje, as me emrin e Jozefina Topallit dhe as me karrigen e Kyrtares së Parlamentit. Kjo më ndihmon akoma më shumë për të parë më qartë. Dhe ajo që shoh me dhimbje dhe me preokupim është fakti se pavarësisht se rregullorja dhe moderimi i Parlamentit i ka dhënë hapësira të jashtëzakonshme opozitës, qoftë dhe në rastin e mocionit të mosbesimit ndaj Kryetares së Parlamentit, këtu në shkelje të rregullores, është pranuar një mocion që nuk kishte asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese. Dhe është pranuar që të votohet në një rekord të shkurtër, që siç nuk ndodh në asnjë vend të botës, sepse flitet të paktën për institucionin e Parlamentit dhe këtë e kam bërë me ndërgjegjen e thellë dhe me premtimin e bërë që në ditën e parë që kam bërë ndaj opozitës, për të mbështetur çdo kërkesë të tyre; të njëjtën gjë unë do të bëj përsëri. Opozita është për t’u respektuar, ajo ka një mission të rëndësishëm, por është për t’u kuptuar se cili është ndryshimi i të qënit në opozitë dhe cili është misioni i të qënit në pushtet. Kjo është e rëndësishme dhe ndoshta ky është momenti kryesor i moskuptimit, i keqkutpitmi, apo i mosdëshirës për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh në opozitë, cili është misioni yt dhe mospretendimi i asaj që ta ka dhënë 3 korriku. 3 korriku është një vendim. Vendimi duhet lexuar mire dhe nuk mund të pretendohet në maxhorancë nga pakica. Po të ndodhte kjo, nuk do të kishte pluralizëm dhe nuk do të kishte demokraci. Kjo është e rendësishme për t’u kuptuar.

Zëri i Amerikës: Qëllimi thuhet se justifikon mjetin, megjithatë, gjatë ditëve të fundit , në parlament ka patur disa mjete të pazakota, siç thatë edhe ju: bilbila, pranga, prani e forcave të gardës në sallë. Si do ta komentonit ju përdorimin e këtyre mjeteve të pazakonta në Parlament?

Jozefina Topalli: Nuk di që t’i gjej asnjë lloj shpjegimi. Nuk kam parë në asnjë vend të botës që të merret bilbili, apo të merret pranga. Unë besoj sa ka një shpjegim dhe shpjegimi vjen edhe nga kriza. Është normale që pas humbjes së zgjedhjeve një parti në opozitë të kalojë në momente të vështira. Por duhet durim dhe duhet kohë për të kapërcyer këtë krizë. E rëndësishme është që krizën që ke brenda vetes të mos ja përcjellësh kurrë insitucioneve të tjera, se është në misionin tënd që krizën ta kapërcesh. Është e rëndësishme të njohësh rolin e opozitës, për të njohur rregulloren e Parlamentit dhe rezultatet e votimeve në Parlament. Është pikërisht këtu që fillon konflikti, brenda vetes së tyre, për të mos njohur rezultatet, atëhere po këtu do të kishim të bënim me një problem shumë të madh.

Zëri i Amerikës: Opozita e akuzon pozitën se përmes luftës kundër korrupsionit nuk po respekton institucionet. Si do ta garantonit ju publikun por edhe opozitën se në luftën kundër korrupsionit ju nuk do t’i shkelni instucionet?

Jozefina Topalli: Unë nuk mendoj se ky është preokupimi i tyre. Mendoj se në kaq muaj sa ka punuar qeveria e re, ka arritur që të presë shumë lidhje dhe shumë linja të trafikimit të drogës dhe të qenieve njerëzore dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm që është përshëndetur dhe po përshëndetet. Këtë e ndjeva në çdo takim që unë pata këtu në Uashington. Reformat që janë bërë dhe sukseset që ka arritur kjo qeveri përmes projektit të rritjes së pagave, shkurtimit të shpenzimeve, betejës kundër nepotizmit dhe kundër konfliktit të interesave normalisht që do të gjejnë rezistencë. Unë nuk them se këtë rezistencë e gjejmë tek opozita në përgjithësi, por sigurisht që has rezistencë në segmente të caktuara edhe të opozitës ashtu si gjen rezistencë në segmente të caktuar të shtetit shqiptar. Unë e di që mocioni mori shkas nga votimi për një gjykatëse që nuk ishte një figurë me integritet por unë kam bërë atë që çdo shqiptar i ndershëm, çdo politikan i përkushtuar dhe çdo njeri që kërkon një shtet ligjor do ta bënte. Por të më binte përsëri në dorë unë absolutisht do të përsërisja të njëjtën gjë dhe unë jam e bindur se vetëm po të ecim me shumë kurajo në këtë rrugë, me bindjen e thellë se në çdo hap tonin të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kemi për të gjetur rezistencë. Por me vullnetin e madh për të kapërcyer çdo mur që mund të na vendoset përpara, jo çdo bilbil por çdo mur, kemi bindjen se kjo është rruga e vetme që mund të na çojë tek të qenurit pjesë e Evropës dhe pjesë e NATO-s.

XS
SM
MD
LG