Lidhje

Analistët: Presidenti iranian përpiqet ta shfrytëzojë krizën bërthamore për të siguruar mbështetjen e nacionalistëve


Programi bërthamor i debatueshëm i Iranit është në qendër të krizës ndërkombëtare për të cilën disa thonë se është keqësuar nga deklaratat dhe veprimet e ndërmarra nga Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad. Disa analistë thonë se udhëheqësi iranian shpreson ta shfrytëzojë gjendjen aktuale të marrëdhënieve me Perëndimin lidhur me çështjen bërthamore, për të siguruar mbështetjen e nacionalisteve për qeverinë e tij.

Ishte lufta e gjatë dhe e përgjakshme midis Iranit dhe Irakut në vitet ’80 që duket se ndikoi së tepërmi tek zoti Ahmadinexhad, ish-pjesëtar i gardianëve revolucionarë, i cili vitin e kaluar u bë presidenti i Iranit. Në fushatën e tij presidenciale, zoti Ahmadinexhad përmendi sakrificat e njerëzve të vrarë në luftra dhe luajti me nostalgjinë që disa njerëz ndjenin për entuziazmin fetar që mbizotëroi gjatë luftës dhe në vitet e para të Revolucionit Islamik në vend. Që kur u bë presidenti i vendit, zoti Ahmadinexhad ju referua posaçërisht ndjenjave nacionaliste për të siguruar mbështetjen për qeverinë e tij, sipas Patrick Clawson të Institutit të Washingtonit për Politikat e Lindjes së Afërme.

"Zoti Ahmadinexhad ka qenë shumë i mençur si politikan në të kuptuarit se mënyra për të rigjallëruar entuziazmin mes iranianëve të zakonshëm, është nëpërmjet nxitjes që u bën ndjenjave të tyre krenare të nacionalizmit, pra se nuk mund të mbështetesh tek islamizmi, apo tek revolucioni islamik për të gjallëruar ndjenjat e iraninëve të zakonshëm."- thotv ai.

Por nxitja e nacionalizmit funksionoi më së miri. Gjatë javëve të fundit, ai udhëhoqi mitingjet e protestës ndaj karikaturave negative për Profetin Muhamed, të botuara në gazetën daneze. Ai gjithashtu ka bërë vazhdimisht thirrje për shkatërrimin e Izraelit, ndërsa i drejtohet Hamasit në një kohë që kjo organizatë përpiqet të formojë një qeveri të re palestineze. Por është programi bërthamor i debatueshëm i Iranit që duket se i ka siguruar atij më tepër forcën tërheqëse të nacionalistëve.

Irani thotë se programi tij ka synime paqësore dhe pretendon se ka të drejtën për të patur kontroll të plotë procesin e pasurimit të uraniumit. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore shqetësohen se Teherani kërkon ta shfrytëzojë këtë proces për prodhimin e armëve bërthamore. Agjencia Botërore e Energjisë Atomike këtë javë publikoi një raport, ku thuhej se nuk mund të përcaktohej në se Irani përpiqet të prodhojë armë bërthamore për arsye se ky vend nuk po bashkëpunon siç duhet me komisionin e OKB-së.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli tha se raporti i Agjencisë tregon përse Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera janë të shqetësuara.

"Ndryshe nga zotimet që i janë bërë evropianëve dhe të tjerëve, në kundërshtim me detyrimet që ka ndaj marrëveshjes bërthamore, Irani është angazhuar në veprimtarinë e pasurimit të uraniumit brenda territorit të vendit dhe kjo përbën shqetësime serioze për të gjithë ne; sinqerisht, që kjo është arsyeja përse Irani gjendet sot në një situatë kaq të ndërlikuar. "- thotë zoti Ereli.

Por në protestat e zhvilluara në Teheran, u shpreh mbështetja për qëndrimet e zotit Ahmadinexhad. Pas lajmit në fillim të shkurtit se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore vendosi ta raportojë Iranin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për sanksione të mundshme, një pjesë e iranianëve reaguan në mënyrë armiqësore.

"Jam i mendimit se Irani tani është i pavarur dhe se gjatë këtyre 20 vjetëve që pas Revolucionit Islamik është provuar se ne mund të jemi të pavarur nga vende të tjera, prandaj këtu nuk ka asgjë të keqe," thotë një student.

Analisti Clawson thotë se taktikat e ndjekura nga udhëheqësit iranianë mund të shpërblehen më vonë.

"Në se Irani vazhdon me programin e vet bërthamor, që nuk ka qenë aspak i kufizuar dhe në se Irani nuk përballet me reperkursione nga bota e jashtme, atëhere politikat konfronuese të Ahmadinexhadit do të shihen si të suksesshme."

Ish-ministri i Jashtëm australian Gareth Evans i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë jo-qeveritare, është mes atyre që bëjnë thirrje për një strategji të re ndaj Iranit. Ai thotë se Washingtoni duhet të ofrojë garanci për sigurinë dhe nxitje të tjera për Iranin, si shpërblim për inspektimet e rrepta dhe të besdishme për objektet e tij bërthamore. Ai paralajmëron se në se çdo përpjekje tjetër dështon, mund të ketë luftë.

"Alternativa që mbetet është ndërhyrja e armatosur, veprimi ushtarak parandalues i natyrës që shkaktoi luftën në Irak në vitin 2003. Dhe këtu ne argumentojmë se kjo është diçka që as që mund të mendohet."

Hapi i mëtejshëm ndaj Teheranit mund të ndërmerret së shpejti, kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së të takohet për të diskutuar për çështjen e Iranit.//lk

XS
SM
MD
LG