Lidhje

Hollivudi përgatitet për ceremoninë e çmimeve Oscar


Sot Hollivudi nderon filmat më të mirë të vitit 2005 në ceremoninë e përvitshme të çmimeve Oscar. Ceremonia që transmetohet drejtpërdrejt është një festë e bujshme shkëlqimi dhe luksi që ndiqet nga miliona teleshikues në gjithë botën dhe që zgjat disa orë. Kandidatët për çmimin e filmit më të mirë kanë tema shumë të ndryshme, por kanë edhe shumë gjëra të përbashkëta.

Ajo që i bashkon pesë filmat kandidatë për çmimin e filmit më të mirë është ndërgjegjia sociale. Drejtori i Kinemasë dhe Qendrës Kulturore të Institutit Amerikan të Filmit në Silver Spring të Merilendit, Murray Horowitz thotë se Hollivudi ka pëlqyer gjithmonë filmat që trajtojnë çështje bashkëkohore.

“Ky vit nuk bën përjashtim. Në fakt të pestë filmat kandidatë mund të thuhet se janë dëshmi e prirjes së Akademisë për të zgjedhur prodhime që përçojnë një mesazh me rëndësi sociale”.

Një nga filmat kandidatë për çmimin Oscar është “Brokeback mountain”, historia e një marrëdhënieje homoseksuale mes dy kaubojsave.

Filmi “Capote” ka në qendër shkrimtarin Truman Capote në një kohë kur ai përgatiste librin e tij “In Cold Blood”, për një vrasje në një familje nga Kansasi. Gjatë punës për librin, Capote krijon një marrëdhënie të ngushtë me një nga vrasësit.

Tek filmi “Crash” disa personazhe me prejardhje të ndryshme racore gjenden bashkë në një incident. Filmi tregon se si paragjykimet e krijuara ndikojnë tek veprimet e personazheve.

“Good night and good luck” ka në qendër përpjekjet e gazetarit Edward Murrow për të diskredituar dhe frenuar taktikat e Senatorit amerikan Joseph McCarthy në lidhje me seancat e tij anti-komuniste dhe listën e tij të zezë.

Filmi “Munich” rrëfen se ç’ndodhi pasi 11 atletë izraelitë u vranë në Lojrat Olimpike të Mynihut në vitin 1972. Tregon historinë e pesë njerëzve të zgjedhur për të eliminuar personat përgjegjës për masakrën. Mynihu është filmi i vetëm mes atyre kandidatë që është realizuar nga një studio e madhe kinematografike, ndërsa katër të tjerët janë prodhime të pavarura. Kritiku i filmave nga Washingtoni, Arch Campbell thotë se kjo është një prirje e re.

“Unë mendoj se tani ka dy botë për filmat. Ka filma me buxhet të madh si King Kongu, që në fakt nuk përmbajnë aq shumë krijimtari. Forca e tyre është tek efektet e posaçme. Pastaj janë filmat jo shumë të bujshëm si Brokeback Mountain dhe Good Night and Good Luck të cilët i japin rëndësi fabulës, që janë më krijues dhe që e kanë fillesën tek shpirti krijues”.

Zëri i Amerikës pyeti zotin Horowitz nëse është e vërtetë që çmimet jepen për nivelin e filmave.

“A janë çmimet një tregues se cilët janë më të mirët? Ndoshta jo”.

Horowitz thotë se ka shumë faktorë që ndikojnë në votën e anëtarëve të Akademisë. Ai thotë gjithashtu se ceremonia vetë është zbavitëse, por në fund të fundit janë thjesht çmime.

XS
SM
MD
LG