Lidhje

SHBA: Masa për të parandaluar epideminë e gripit të shpendëve


Vitin e kaluar prania e gripit të shpendëve u konfirmua në katër vende të Azisë. Sot, virusi është përhapur në 33 vende në tre kontinente dhe ka shkaktuar vdekjen e 94 personave. Por edhe më shqetësuese është mundësia që virusi të transformohet dhe të shkaktojë një epidemi globale që të marrë jetën e miliona njerëzve. Para pak ditësh, zyrtarë të lartë të shëndetësisë amerikane njoftuan një nënkomision të kongresit rreth hapave të marra për të ndihmuar në parandalimin e infeksionit.

"Shpresa nuk është strategji. Një kërcënim diku është kërcënim kudo. Duhet të marrim parasysh skenarin më të keq." Këto ishin disa nga deklaratat e bëra nga pjesëmarrësit e një seance dëgjimore në një nënkomision të Dhomës së Përfaqësuesve për rrezikun e pashmangshëm që përbën përhapja e virusit nga zogjtë shtegëtarë.

Dr. Antoni Fauci, i cili drejton Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është i nevojshëm për të parë evolucionin e virusit të gripit të shpendëve në mënyrë që shkencëtarët të mund të krijojnë shpejt një vaksinë në rastin e një ndryshimi vdekjeprurës. "Duhet të jemi mirë të informuar që të krijojmë vaksinën që do të jetë jo vetëm për njerëzit në Shtetet e Bashkuara por në mbarë botën. Na duhet transparencë dhe shkëmbim informacioni. Ky bashkëpunim po përmirësohet, por përsëri nuk është në nivelin që do të donim të ishte," thotë Dr. Fauci.

Megjithatë protestat e fundit nga fermerët e pularive në Egjypt tregojnë se transparenca dheshkëmbimi i informacionit nuk u shërbejnë interesave imediate të njerëzve, ekonomia e të cilëve varet nga shitja e pulave. Demonstratat erdhën në përgjigje të një vendimi të qeverisë për të grumbulluar popullatën e zogjve të Egjyptit në përgjigje të shfaqjes së virusit.

Ligjvënësja Nita Loui, demokrate e Nju Jorkut, tha se stimujt financiarë janë të nevojshme për të mbikaluar tendencat e fermerëve për të fshehur praninë e virusit. "Nuk ka patur përpjekje të mjaftueshme apo të suksesshme për të krijuar një mekanizëm financiar ndërkombëtar për të kompensuar fermerët për humbjet e tyre," thotë ligjvënësja.

Më shumë se 50 % e 170 njerëzve të infektuar deri tani me gripin e shpendëve kanë vdekur. Të gjitha viktimat besohet të kenë patur kontakt të drejtpërdrejtë me zogj të infektuar. Kjo e bën grumbullimin të rrezikshëm.

Për të minimizuar rezikun, Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë 20 mijë veshje mbrojtëse në Azinë Juglindore, Afrikë, Kaukaze dhe pjesë të tjera të botës. Kent Hill i Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar tha se janë urdhëruar edhe 1 milion e 500 mijë të tjera. "Këto lloj paketash materialesh do të përfshijnë, doreza, maska, kostume, syze, dizinfektant etj."

Në seancë u nënvizua fakti se gripi i shpendëve nuk ka të ngjarë që thjesht të zhduket. Pjesëmarrësit thanë se është shumë e rëndësishme që përhapja e tij të njoftohet menjëherë. //ad//

XS
SM
MD
LG