Lidhje

Mali i Zi në pritje të referendumit të 21 majit


Partitë politike në Mal të Zi kanë pranuar udhëzimet e Bashkimit Evropian për referendumin e 21 majit lidhur me pavarësinë e plotë të këtij territori si dhe për t’i dhënë fund federatës me Serbinë, fqinjit të tij shumë më të madh.

Si opozita që është pro federatës, ashtu edhe qeveria e kryeministrit Milo Djukanoviç, e cila favorizon pavarësinë, i kanë pranuar udhëzimet e Bashkimit Evropian për referendumin.

Që pavarësia të pranohet nga komuniteti ndërkombëtar, të paktën 55 përqind e pjesmarrësve në referendum duhet të votojnë “po”. Veç kësaj, në referendum duhet të marrin pjesë të paktën 50 përqind e njerëzve me të drejtë vote.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica thotë se megjithëse ai mbështet vazhdimin e unionit me Malin e Zi, Serbia do të pranojë vendimin që do të marrë populli malazez.

Vladimir Gligorov, ekspert i Ballkanit në Institutin vjenez për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se mënyra se si do të paraqiten argumentet pro pavarësisë do të jetë vendimtare për rezultatin e referendumit.

"Në rast se kjo argumentohet si duhet, pavarësia mund të fitojë më shumë se 55 përqind. Në rast se argumentohet keq, ose në rast se ndodh diçka e keqe apo ndonjë tronditje politike, gjë që është gjithnjë e mundur, atëhere referendumi mund të përfundojë me rezultat të kundërt."

Zoti Gligorov thotë se në rast se votohet “jo”, kjo nuk do të zgjidhte asgjë sepse politikanët pro pavarësisë do të vazhdonin të ankoheshin kundër dominimit serb. Një votë “jo”, thotë ai, do të rezultonte në zgjatjen e periudhës së agonisë.

Mali i Zi, një territor malor dhe me vijë bregdetare të shkurtër por të mahnitëshme në Adriatik, ka një popullatë prej vetëm 600 mijë banorësh. Vetë Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, ka një popullsi më të madhe se sa krejt Mali i Zi.

Malazezët dhe serbët përdorin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtën fe. Anketat tregojnë se 50 deri 55 përqind e malazezëve janë në favor të pavarësisë.

Unioni i tanishëm midis Serbisë dhe Malit të Zi u realizua vetëm tre vjet më parë, kryesisht me përpjekjet e shefit diplomatik të Bashkimit Evropian, Havier Solana, i cili është në favor të vazhdimit të kësaj strukture.

Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesët e fundit përbërëse të Jugosllavisë së vjetër që u shkatërrua me një konflikt të dhunshëm në vitet 90. Mali i Zi gëzon autonomi të gjerë dhe përdor euron në vend të dinarit serb.//ii

XS
SM
MD
LG