Lidhje

Ahtisari: jeta për pakicat në Kosovë duhet të përmirësohet para se të vendoset për statusin


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisari thotë se jeta për pakicat në Kosovë, veçanërisht për serbët, duhet të përmirësohet para se të vendoset për statusin e saj.

Zoti Ahtisari sapo i dha fund një vizite pesë ditëshe në Kosovë dhe Serbi pas raundit të parë të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Raundi tjetër i bisedimeve do të mbahet në Vienë më 17 mars.

Zoti Ahtisari thotë se çështje të tilla si trashëgimia kulturore dhe objektet e shenjta duhet të diskutohen së bashku me çështjet praktike ekonomike dhe të infrastrukturës. Por tani, ish presidenti finlandez thotë se bisedimet e decentralizimit po përqendrohen në temën kryesore: përmirësimi i jetës për pakicat e Kosovës, dhe veçanërisht për serbët.

“Unë bëra një vizitë në një komunë afër Prishtinës dhe gjatë takimit që pata thashë se për të përmirësuar arsimin, shërbimin shëndetësor dhe infrastrukturën duhen para. Por për të përmirësuar marrëdhëniet mes njerëzve duhet vetëm vullnet. Ai nuk kushton asnjë lek.”

Autonomia dhe pavarësia janë ndër alternativat për të ardhmen e Kosovës. Por Serbia e hedh poshtë idenë e pavarësisë dhe serbët e Kosovës i kanë bojkotuar institucionet e përkohshme të saj. Palët në dy anët e çështjes, thotë Ahtisaari, kanë përgjegjegjësi për të bërë përmirësime.

“Unë e kam theksuar se ndërsa ne i kemi inkurajuar shqiptarët e Kosovës të ecin përpara dhe të jenë zemërgjerë, është e rëndësishme t’u dërgojmë edhe serbëve të Kosovës mesazhin se ata duhet të marrin pjesë.”

Zoti Ahtisari i bëri komentet pas një takimi në Këshillin e Sigurimit. Kombet e Bashkuara e administrojnë Kosovën që nga viti 1999, kur forcat e NATO-s dëbuan trupat jugosllave pas shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut kundër shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG