Lidhje

Nënpresidenti Çejni: Irani nuk do të lejohet të prodhojë armë bërthamore


Nënpresidenti Dik Çejni tha se Irani nuk do të lejohet të prodhojë armë bërthamore dhe se komuniteti ndërkombëtar do të imponojë “pasoja të rënda” nëse Teherani vazhdon përpjekjet për krijimin e bombës atomike.

Duke folur dje përpara një grupi lobist proizraelit në Uashington, zoti Çejni tha se Shtetet e Bashkuara po i mbajnë të gjitha alternativat të hapura për trajtimin e asaj që ai e quajti “sjellje të papërgjegjëshme” të udhëheqësve iranianë.

Zoti Çejni i bëri komentet ndërkohë që Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore ishte mbledhur në Vjenë për të diskutuar rreth programit bërthamor iranian si dhe rreth çështjes nëse do t’i kërkojë apo jo Këshillit të Sigurimit të ndërmarrë sanskione kundër Iranit.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov u takua në Uashington me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs dhe me Presidentin Bush. Ai u tha më pas gazetarëve se Rusia nuk ka bërë ndonjë propozim kompromisi që do ta lejonte Iranin të pasuronte uraniumin në vend.

Ministri i jashtëm rus tha në krah të Sekretares amerikane të Shtetit Condoleezza Rice, se bisedimet mes Rusisë dhe Iranit përqendrohen tek përpjekjet për të bindur Teheranin që të pranojë ofertën e Moskës për të pasuruar uranium për Iranin në territorin rus.

Nga ana e saj, zonja Rice përsëriti qëndrimin amerikan se çfarëdolloj pasurimi uraniumi në territorin iranian është i papranueshëm. Konferenca e tyre e shtypit në Washington pasoi njoftimet se Rusia i ka bërë një ofertë për kompromis negociatorëve iranianë në Vienë.

Diplomatët citohen të thonë se sipas propozimit rus Irani duhet të pezullojë aktivietet për pasurimin e uraniumit, por do të vazhdonte kërkimet bërthmore të kufizuara brenda vendit.

XS
SM
MD
LG