Lidhje

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2005


Departamenti amerikan i Shtetit nxori sot raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, në të cilin identifikohen problemet kryesore në këtë fushë. Në vijim përmbledhja e kapitujve të raportit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni:

Shqipëri

Në kapitullin për Shqipërinë, raporti thekson se megjithë përpjekjet e qeverisë për të respektuar të drejtat e njeriut shkeljet vazhdojnë. Sipas raportit të Departamentit të Shtetit, Shqipëria ndeshet me një sërë problemesh në veçanti në keqtrajtimin e të ndaluarve dhe të burgosurve nga policia, kushtet e këqija në burgje, arrestimet arbitrare dhe korrupsioni mes forcave të rendit.

Në analizën e tij, Departamenti i Shtetit thekson se gjatë vitit të kaluar ka vazhduar të ketë një nivel të lartë krimesh të dhunshme, një pjesë e mirë e të cilave të karakterit të luftës ndërmjet bandave kriminale dhe krime me motiv gjakmarrjen. Gjatë vitit të kaluar përllogaritet se 738 familje ishin praktikisht të ngujuara si rrjedhojë e frikës së gjakmarrjes.

Një problem i rëndësishëm mbeten të metat në punën e organeve të rendit. Mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni janë disa prej pengesave kryesore në funksionimin me efektivitet të një force policore civile. Pagat e ulëta dhe korrupsioni që ekziston edhe në sektorë të tjerë e bërë të vështirë luftën kundër korrupsionit në forcat e rendit.

Lidhur me gjyqësorin, raporti thekson se presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara janë bërë pengesë serioze për funksionimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv. Ndër shfaqjet e tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut, përfshihen probleme që kanë hasur shumë qytetarë në zbatimin e ligjit për kompensimin e pronave, ndërhyrja në jetën private, çështjet e familjes dhe ndërhyrjet në korrespondencë. Raporti thekson se gjatë vitit të kaluar ka pasur një sërë problemesh me shfrytëzimin e medias për synime politike.

Departamenti i Shtetit në analizën e tij të gjendjes në Shqipëri thekson se korrupsioni mbetet një pengesë kryesore ndaj reformave të mirëfillta. Sipas një ankete 94 për qind e publikut dhe 90 për qind e drejtuesve të bizneseve besojnë se ekziston një korrupsion në shkallë të gjerë në radhët e zyrtarëve.

Kosovë

Në kapitullin mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, raporti thekson se ndër problemet kryesore mbeten vrasjet me motive etnike dhe politike, korrupsioni, ndërhyrjet e qeverisë në funksionin e gjyqësorit, ndjenjat anti-serbe si dhe kufizimi i lëvizjes së lirë për pakicat, veçanërisht për serbët.

Edhe gjatë vitit të kaluar, theksohet në raportin e Departamentit të Shtetit, ka pasur raste të proceseve gjyqësore të njëanshme, veçanërisht në çështje ndëretnike, të cilat jo gjithmonë zhvilloheshin në bazë të rregullores për një proces të drejtë. Një tjetër aspekt që pengon gjyqet e drejta është edhe frika e dëshmitarëve për të ofruar dëshmi. Megjithë përpjekjet për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të luftës gjatë konfliktit 1998-1999, shumë nga këto çështje ende nuk janë zgjidhur.

Janë vërejtur përsëri, thekson më tej dokumenti, raste të keqtrajtimit, qoftë fizik qoftë psikologjik të gazetarëve. Raporti identifikon edhe krime të tjera të karakterit shoqëror, ku përfshin sulmet ndaj kishave dhe varrezave serbe. Një tjetër problem mbetet kufizimi i lëvizjes për pakicat dhe ritmet e ulëta të kthimit të personave të zhvendosur gjatë konfliktit.

Një sfidë serioze për Kosovën mbetet trafikimi i qenieve njerëzore. Ka të dhëna se në trafikim janë përfshirë edhe zyrtarë lokalë dhe ndërkombëtarë.

Maqedoni

Raporti i Departamentit të Shtetit mbulon edhe gjendjen në Maqedoni, ku thekson se shfaqjet kryesore të të drejtave të njeriut janë keqtrajtimi i të dyshuarve nga policia, veçanërisht gjatë arrestimit dhe mbajtjes nën arrest, frikësimet dhe akte të tjera përndjekjeje ndaj pakicave etnike, veçanërisht romëve nga forcat e rendit, korrupsioni i zyrtarëve, ndikimi i politikës tek gjyqësori.

Ka pasur raporte të besueshme se policia ka përdorur dhunë apo ka kërcënuar pjesëtarë të pakicave etnike. Një organizatë joqeveritare ka dokumentuar 122 viktima gjatë 10 muajve të parë të vitit të kaluar, ndër të cilët 47 shqiptarë të Maqedonisë.

Raporti kritikon qëndrimin e mefshtë të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për të zhvilluar hetime të plota dhe për të ngritur akuza lidhur me shkelje të të drejtave të njeriut që janë kryer në vitet e mëparshme.

XS
SM
MD
LG