Lidhje

Rice: Irani mund të jetë sfida kryesore për Shtetet e Bashkuara


Sekretarja amerikane e shtetit Condoliza Rice tha para një komisioni të senatit amerikan se Irani mund të përbëjë sfidën kryesore për Shtetet e Bashkuara.

Në dëshminë që dha sot para komisionit të senatit për buxhetin, sekretarja Rice citoi shqetësimet e administratës së presidentit Bush rreth programit bërthamor të Iranit, mbështetjen e tij për ekstremistët anti-izraelitë dhe akuzat për ndërhyrje në punët e brendshme të Irakut.

Zonja Rice i bëri këto komente disa orë pasi udhëheqësi i lartë i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, tha se Irani nuk do të ndalojë kërkimet e tij në fushën bërthamore dhe shtoi se kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj programit bërthamor iranian është pjesë e një përpjekjeje për të minuar sunduesit klerikë të Iranit.

Komentet e sotme të Ajatollahut pasojnë komentet po sot të presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad, i cili tha se Teherani nuk do t’i trembet presionit të Perëndimit për të hequr dorë nga programi i tij për kërkime bërthamore.

Këto komente bëhen një ditë pasi bordi me 35 vende anëtare i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike i dërgoi raportin e tij Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me rifillimin nga Irani të programit për pasurimin e uraniumit, megjithë kundërshtimet e kësaj agjencie.

Këshilli i Sigurimit mund të vendosë sanksione në se arrin në përfundimin se veprimtaritë bërthamore të Teheranit shkelin traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore, siç akuzojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG