Lidhje

Nën sekretari amerikan i mbrojtjes Gordon England përgëzon Shqipërinë për perkrahjen që u jep Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit


Nën sekretari amerikan i mbrojtjes Gordon England përgëzon Shqipërinë për perkrahjen që u jep Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit, dhe si një nga vendet e para pjesmarrëse të koalicionit ndërkombëtar në Irak e Afganistan. Zoti England i beri keto komente mbrëmë gjatë një takimi në ambasadën shqiptare në Uashington, ku ndodhej i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu si dhe shumë titullarë ambasadash të akredituar në kryeqytetin amerikan.

Nën sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se megjithë sfidat e veta të mëdha brenda vendit, Shqipëria është një nga partneret më të vendosura të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

“Qeveria shqiptare ka bllokuar pasuritë e terroristëve, ka mbyllur shoqatat e dyshimta që vepronin nën petkun e organizatave bamirëse e jo qeveritare, ka dëbuar ekstremistët, dhe ka dhënë përkrahje të drejtpërdrejtë diplomatike e ushtarake në luftën kundër terrorizmit në Afganistan e Irak. Në Afganistan, personeli mjekesor shqiptar po ndihmon për rimëkembjen e spitaleve të Kabulit. Në Irak, Shqipëria ishte një nga vendet e para që dërgoi ushtarë në vijën e parë të frontit anti terrorist. Komandot shqiptare ne Irak jane inkuadruar në radhët e divizionit 101 parashutist amerikan, që merret me sigurinë e aeroporteve dhe objeketeve të tjera. Ushtarët shqiptare”, tha nën sekretari England, “me pjekurinë dhe guximin e tyre kanë fituar dashuri e respekt, duke treguar se janë të denjë të renditen në radhet e divizionit 101 parashutist, i njohur si një nga formacionet me të pëgatitura të ushtrisë amerikane. Shqipëria mund të jetë gjeografikisht e vogël, por si partner ndërkombëtar ështe vend i madh”, tha nën sekretari amerikan i mbrojtjes Gordon England.

“Lufta kundër terrorizmit”, tha nën sekretari i mbrojtjes, “është lufta e të gjitha vendeve, është lufta e brezit të tanishëm në mbrojtje të lirisë për brezin e ardhshëm. Terrorizmi është sfidë ndaj kësaj lirie dhe ndaj qyteterimit boteror”, tha ai, dhe duke cituar ish presidentin Ronald Regan, nën sekretari England shtoi, se liria nuk trashëgohet, për lirinë duhet luftuar, ajo duhet mbrojtur dhe duhet t'i dorëzohet brezit të ardhshëm duke i thenë të bëjë të njëjtën gjë.

“Me partneritet të fortë si ky midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqiperise, në me të vërtetë do të dalim fitues në këtë luftë. Ju falenderoj për forcën, vullnetin, udhëheqësinë dhe perpjekjet tuaja të fuqishme për transformimin e ushtrisë shqiptare, dhe ta dini se Shqiperia gëzon përkrahjen e fuqishme të Shteteve te Bashkuara, dhe ju zoti Ministër keni perkrahjen e fuqishme të departamentit amerikan te Mbrojtjes”, i tha nën sekretari England, ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

XS
SM
MD
LG