Lidhje

Marrëveshja me kompaninë e Dubait për portet hidhet poshtë nga Kongresi amerikan


Kompania nga Lindja e Mesme, Dubai Ports World, e cila sipas një marrëveshjeje do të merrte përsipër operacionet në një numër portesh amerikane thotë tani se do t’ia transferojë këto operacione një firme amerikane. Plani i mëparshëm për blerjen e këtyre operacioneve kishte marrë dritën e gjelbër nga administrata e Presidentit Bush por hasi në kundërshtime të forta në Kongres.

Me një prodhim të përgjithshëm kombëtar prej më shumë se 11 trilion dollarësh në vit, ekonomia amerikane është pa dyshim më e madhja dhe më efikasja në botë. Kyçi i këtij efikasiteti është aftësia transportuese. Sipas Departamentit të Sigurimit Kombëtar, qytetet e Amerikës, deri te më të vegjëlit, lidhen nga 177,000 kilometra autostrada, 350,000 kilometra hekurudha dhe 590,000 ura. 90 përqind e mallrave të importuar që kalojnë nëpër këto rrugë dhe hekurudha vijnë nga deti.

Frank Fogerty është nënpresident i kompanisë britanike P&O Ports, e cila po blihet nga firma Dubai Ports World. "Pa portet, ne nuk do të kishim produktet që kemi sot dhe që vijnë nga jashtë, as ekonomia nuk do të ishte kaq e gjallë sa është sot", thotë nënpresidenti.

361 portet amerikane përpunojnë çdo vit më shumë se 5 miliard metra kub mall të huaj. Portet janë ndoshta pikat më të ekspozuara nga mund të vijë një sulm terrorist. Stephen Flynn, analist për sigurimin kombëtar pranë Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se sot për sot, masat e sigurisë në portet amerikane janë të pamjaftueshme. "Vlerësimi im është se masat e sotme të sigurimit nuk përbëjnë një mjet të efektshëm frenues për organizatat e vendosura terroriste që kanë si objektiv sistemin e transportit detar amerikan," thotë Flynn.

Një zyrtar i Departamentit të Transportit paralajmëron se nëse sulmet e 11 shtatorit e plagosën ekonominë amerikane, një sulm kundër një porti në Shtetet e Bashkuara mund ta paralizonte fare atë. Por shqetësimet lidhur me kontrollin e operacioneve portuale nga firma të huaja mund të jenë të zmadhuara, thotë David Heyman, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington: "Mendoni: mbi gjysma e porteve amerikane sot operohen nga firma të vendeve të tilla si Kina, Singapori, Koreja dhe Britania. Po kompanitë amerikane që kontrollojnë operacione portuale në shumë vende të tjera të botës? A mos duhet që edhe atyre t’u mohohen këto operacione?" Zoti Heyman thotë se shumica e amerikanëve nuk e kanë të qartë se si operojnë portet, diçka që sipas ekzekutivëve të firmës britanike P&O Ports është harruar në valën e debatit të tanishëm.

Robert Scavone, i cili përgjigjet për problemet e sigurisë pranë kësaj firme, thotë se informacioni i gabuar në këtë pikë e ka bërë debatin të pamundur: "Portet nuk shiten, ato janë pronë e qeverisë dhe e askujt tjetër, thotë Scavone. Ne përgjigjemi thjesht për shkarkimin e kontejnerëve nga anijet dhe nuk kemi fare nevojë të dimë se çfarë ka brenda tyre." Është përgjegjësi e doganës amerikane për të përcaktuar se cilët kontejnerë do të inspektohen. Sot për sot, më pak se 10 përqind e 6 milion kontejnerëve që arrijnë çdo vit me det në Shtetet e Bashkuara inspektohen fizikisht. Sipas ekspertëve, nëse inspektohet një numër më i madh, kjo do të ishte pa leverdi ekonomike.

Disa anëtarë të Kongresit mendojnë se nëse portet operohen nga një kompani e Dubait, kjo do t’i shtonte rreziqet: "Kjo është çështje e sigurimit kombëtar, thotë kongresmeni Jerry Lewis. Ne duam të garantojmë se siguria e porteve tona është në duart amerikane". Por të tjerë thonë se ajo është në duart amerikane. Një numër ekspertësh besojnë se Kongresi duhet ta përqendojë vemendjen te përmirësimi i procedurave të sigurisë në porte dhe jo te çështja se kush i operon ato. //rd//

XS
SM
MD
LG